Lajme nga Bota

Trump kërcënon Iranin: 1 mijë raketa janë gati për t'u lëshuar nëse më vrisni

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se çdo tentativë për atentat ndaj tij do të përballet me një përgjigje ushtarake shkatërruese.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se ka urdhëruar ushtrinë amerikane të jetë e gatshme për një reagim të menjëhershëm, duke pretenduar se "1,000 raketa janë të synuara drejt Republikës Islamike të Iranit", ndërsa mijëra të tjera do të pasonin nëse Teherani do të ndërmerrte veprime kundër presidentit amerikan.

"Urdhrat janë dhënë tashmë dhe ushtria amerikane është plotësisht e gatshme të godasë Iranin nëse kërcënimet bëhen realitet", shkroi Trump.

Paralajmërimi vjen pasi Wall Street Journal raportoi se Izraeli u ka ndarë autoriteteve amerikane informacione sipas të cilave Irani po shqyrton mundësinë e një plani për të vrarë Trump. Sipas raportimeve, Teherani vijon ta konsiderojë hakmarrjen për vrasjen e ish-komandantit të Gardës Revolucionare, Qassem Soleimani, si një objektiv të hapur.

Në të njëjtën kohë, Axios raporton se administrata Trump i ka dërguar Iranit një ultimatum diplomatik. Sipas tre zyrtarëve amerikanë, Uashingtoni kërkon që Teherani të deklarojë publikisht se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për lundrimin ndërkombëtar dhe të angazhohet për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare.

Mesazhi është përcjellë si drejtpërdrejt, ashtu edhe përmes ndërmjetësve rajonalë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, dhe homologu i tij nga Omani, Sayyed Badr al-Busaidi, pritet të zhvillojnë një takim në Muscat për të diskutuar krizën në Ngushticën e Hormuzit dhe hapat e ardhshëm në negociata.

Sipas Axios, Omani ka bashkëpunuar me SHBA-në dhe vendet aleate të Gjirit për hapjen e një korridori detar alternativ, një zhvillim që Irani e ka konsideruar si dobësim të pozitës së tij negociuese.

Zyrtarë amerikanë pretendojnë gjithashtu se përfaqësues iranianë kanë pranuar në bisedime se elementë radikalë brenda regjimit kanë sulmuar anije tregtare për të rritur presionin në negociata. Madje, sipas një prej tyre, pas dy ditësh përplasjesh, pala iraniane ka kërkuar rifillimin e dialogut, duke pranuar se kishte bërë një gabim.

Uashingtoni pret që pas takimit në Oman, Irani të deklarojë publikisht se do t'i japë fund sulmeve ndaj anijeve dhe se kalimi në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet i lirë, pa tarifa apo kufizime të tjera.

Një zyrtar amerikan paralajmëroi se nëse Teherani nuk merr këtë angazhim, "nuk do të jetë një ditë e mirë për ta", duke lënë të kuptohet se SHBA është e gatshme të ndërmarrë masa të tjera.