Aktualitet

Këshilli i Shkodrës propozon që gjykatësi Kalaja të shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Këshilli i Qarkut të Shkodrës ka propozuar që gjyqtari Astrit Kalaja, i vrarë gjatë ushtrimit të detyrës më 6 tetor 2025, të shpallet "Dëshmor i Atdheut". Propozimi është përshëndetur nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, e cila thekson se kjo ishte një nga kërkesat unanime të Konferencës së Gjyqtarëve, të zhvilluar më 9 tetor 2025. Sipas shoqatës, ky është një hap i rëndësishëm drejt përmbylljes së procedurave për njohjen zyrtare të këtij statusi.

Shoqata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të përshpejtojnë procedurat, duke theksuar se ky është vlerësimi i duhur ligjor dhe institucional për çdo funksionar shtetëror që humb jetën gjatë kryerjes së detyrës.

Gjyqtari Astrit Kalaja u vra më 6 tetor 2025, pasi u qëllua me armë brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Ragip Kurti dhe djali i tij, Ervis Kurti.

Në momentin e ngjarjes po pritej një vendim gjyqësor lidhur me një konflikt pronësie që zgjat prej rreth tre dekadash. Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, ishin palë në proces, në përballje me 31 familje. Konflikti nisi pasi familja Shkambi përfitoi pronën si ish-pronar në vitet '90, ndërsa në të njëjtën godinë ishin strehuar 31 familje, duke sjellë një seri procesesh gjyqësore që vazhduan për vite me radhë.


Deklarata e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me interes vendimmarrjen e Këshillit të Qarkut Shkodër për dhënien e statusit të “Dëshmorit të Atdheut” gjyqtarit, Z. Astrit Kalaja, i cili u vra më datë 6 tetor 2025, në krye të detyrës. Kjo ka qenë një nga kërkesat e paekuivokta dhe unanime të Konferencës së Gjyqtarëve të mbajtur më datë 9 tetor 2025 dhe se për rrjedhojë vendimmarrja e Këshillit të Qarkut Shkodër mirëpritet dhe përshëndetet nga Shoqata si një hap i rëndësishëm në finalizimin e procesit administrativ të njohjes dhe dhënies së këtij statusi. Gjithashtu Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon dhe inkurajon edhe institucionet e tjera kompetente që të përmbyllin në një kohë sa më të shpejtë procesin e njohjes dhe dhënies së statusit të “Dëshmorit të Atdheut” për gjyqtarin Z. Astrit Kalaja, me bindjen se ky është trajtimi i denjë dhe ligjor i cilitdo shtetar që vritet në krye të detyrës.