Stil jete

Këpucët e kuqe janë trendi më i madh i verës 2026

Këpucët e kuqe po dominojnë modën këtë verë, duke u shndërruar në një nga tendencat më të forta të vitit 2026. Nga pasarelat e shtëpive të njohura të modës deri te rrjetet sociale, kjo ngjyrë e guximshme po rikthehet fuqishëm në qendër të vëmendjes.

Sipas revistës së specializuar për modën Footwear News, kërkimet për taka të kuqe janë rritur me 357.14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, kërkimet për sandale të kuqe kanë shënuar një rritje edhe më të madhe, prej 383.33%.

Ekspertët e modës e lidhin këtë bum me trendin e njohur si “pop of red”, ku një element i vetëm në ngjyrë të kuqe – në këtë rast këpucët – i jep jetë dhe karakter çdo veshjeje. Ky stil po pushton Instagramin dhe është bërë zgjedhja e preferuar e shumë influencueseve dhe ikonave të modës.

Këpucët e kuqe kanë mbartur gjithmonë një simbolikë të veçantë në kulturë dhe art, duke përfaqësuar herë elegancën dhe dëshirën, e herë guximin apo revoltën. Në verën e vitit 2026, ato janë rikthyer si aksesori që nuk duhet të mungojë në garderobë.