Aktualitet

Historia e protestuesit me fëmijën e sëmurë që po zien në rrjet: Shqiptarët në 24 orë dhurojnë mijëra euro

Shuma totale sipas mediave online thuhet të ketë arritur mbi 100 mijë euro, por ajo që vlen më shumë në këtë rast është solidariteti dhe historia prekëse që ka prekur zemrat e shumë shqiptarëve.

Gjithçka nisi kur Altin Hila, i cili prej ditësh merrte pjesë në protestë bashkë me djalin e tij të sëmurë, u shoqërua nga policia. Historia e tij u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa shumë qytetarë u prekën nga sakrificat e një babai që përballet çdo ditë me vështirësi të mëdha për kujdesin ndaj fëmijës.

Sipas raportimeve dhe postimeve që qarkullojnë online, djali i tij ka nevojë për trajtime dhe kujdes të vazhdueshëm mjekësor, me kosto të larta për familjen. Pas publikimit të rastit, reagimi i qytetarëve ishte i menjëhershëm: brenda pak orësh nisën dhurimet dhe mesazhet e mbështetjes nga shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.

Më shumë se shifra, kjo histori po konsiderohet si një dëshmi e solidaritetit njerëzor, duke treguar se përtej debateve dhe ndasive, shqiptarët dinë të bashkohen kur përballen me dhimbjen e një familjeje në nevojë.