Stil jete

Vdekjet nga ky lloj kanceri mund të eliminohen pothuajse plotësisht

Një studim i ri i kryer në Mbretërinë e Bashkuar ka sjellë rezultate shumë premtuese: vaksina kundër virusit HPV mund të ulë pothuajse në zero rrezikun e vdekjes nga kanceri i qafës së mitrës tek gratë e reja.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore The Lancet, analizoi të dhënat e grave të moshës 20 deri në 34 vjeç gjatë periudhës 2001-2024. Tek gratë 20-24 vjeç, ku rreth 90% ishin vaksinuar kundër HPV-së në moshën 12-13 vjeç, nuk u regjistrua asnjë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës për pesë vite radhazi.

Edhe te grupi 25-29 vjeç u vu re një ulje 100% e vdekjeve, ndërsa te gratë 30-34 vjeç, të cilat kishin pasur më pak mundësi për t'u vaksinuar, vdekshmëria u ul me 63%.

Sipas studiuesve, vaksina funksionon kaq mirë sepse krijon një përgjigje të fortë imunitare dhe jepet përpara ekspozimit ndaj virusit HPV. Versioni aktual, Gardasil 9, mbron nga nëntë lloje të HPV-së që shkaktojnë mbi 90% të rasteve të kancerit të qafës së mitrës.

Ekspertët theksojnë se studimi tregon një lidhje shumë të fortë, por nuk do të thotë se rreziku është absolutisht zero. Megjithatë, rezultatet konsiderohen një arritje e madhe në shëndetin publik.

Organizata shëndetësore rekomandojnë vaksinimin e vajzave dhe djemve rreth moshës 11-12 vjeç, idealisht përpara fillimit të aktivitetit seksual. Vaksina është e miratuar për personat nga 9 deri në 45 vjeç.

Përveç mbrojtjes nga kanceri i qafës së mitrës, vaksina ndihmon edhe në parandalimin e disa llojeve të tjera të kancerit të lidhura me HPV-në, si dhe të lythave gjenitalë.

Ekspertët e cilësojnë këtë studim si një nga provat më të forta deri më tani se vaksinimi kundër HPV-së mund të shpëtojë jetë dhe të ndryshojë ndjeshëm të ardhmen e luftës kundër këtij lloji të kancerit.