Stil jete

Jori Vila shpallet “Social Star Woman Entrepreneur 2026” nga RCC


Sarajevë, 30 qershor 2026 – Sipërmarrësja shqiptare Jori Vila, themeluese dhe drejtuese e Oz Marketing, është shpallur fituese e çmimit "Social Star Woman Entrepreneur 2026", në kuadër të iniciativës Western Balkans Six Women Entrepreneurs of the Year, organizuar nga Regional Cooperation Council (RCC).

Vlerësimi u nda gjatë ceremonisë së zhvilluar në Sarajevë, ku u nderuan gjashtë sipërmarrëse nga Ballkani Perëndimor që kanë spikatur për kontributin e tyre në inovacion, qëndrueshmëri, kreativitet dhe transformim digjital. Nga rreth 180 nominime nga i gjithë rajoni, juria përzgjodhi gjashtë fitueset e këtij viti, duke vlerësuar ndikimin e tyre në ekonomi dhe komunitet.

Jori Vila u vlerësua në kategorinë "Social Star Woman Entrepreneur" për kontributin e saj në marketing, komunikim dhe ndërtimin e markave personale e korporative. Sipas RCC, ajo ka ndihmuar sipërmarrës, kompani dhe organizata të ndërtojnë identitete më të forta, të komunikojnë me qartësi dhe të rrisin dukshmërinë e tyre në hapësirën digjitale. Përmes ekspertizës së saj, ajo ka mbështetur zhvillimin e markave dhe ka kontribuar në krijimin e një komunikimi më efektiv mes bizneseve dhe publikut.


Oz Marketing, kompania e themeluar nga Vila në vitin 2020, është kthyer në një nga agjencitë më aktive në fushën e marketingut dhe komunikimit në Shqipëri, duke mbështetur dhjetëra biznese në zhvillimin e markës, strategjisë dhe pranisë së tyre digjitale.


Ceremonia u hap nga Sekretari i Përgjithshëm i RCC, Amer Kapetanović, i cili theksoi se sipërmarrëset nuk kërkojnë trajtim të veçantë, por mundësi të barabarta për akses në financim, tregje, rrjete bashkëpunimi dhe njohje për vlerën që krijojnë. Ai nënvizoi se sipërmarrja e grave nuk është vetëm një çështje barazie, por edhe një faktor kyç për konkurrueshmërinë ekonomike të rajonit.


Përveç Jori Vilës, fituese të edicionit 2026 u shpallën edhe Tamara Đurić (Serbi) në kategorinë "Artistic Woman Entrepreneur", Flandra Marmullaku (Kosovë) si "ICT Woman Entrepreneur", Aleksandra Simoni (Mali i Zi) si "Young Woman Entrepreneur", Marija Kukunoska (Maqedonia e Veriut) si "Green Woman Entrepreneur" dhe Željana Vulović (Bosnje dhe Hercegovinë) si "Tourism Woman Entrepreneur".


Iniciativa Western Balkans Six Women Entrepreneurs of the Year, e krijuar nga RCC në vitin 2022, synon të promovojë sipërmarrjen e grave, të rrisë dukshmërinë e historive të tyre të suksesit dhe të inkurajojë një rol më të madh të grave në zhvillimin ekonomik, tranzicionin e gjelbër dhe transformimin digjital të Ballkanit Perëndimor.