25 Rreshtat e Mirës

Mira Kazhani: (Nuk) Është e lehtë me qenë shqiptar dhe leksioni nga një protestë

Mira Kazhani: (Nuk) Është e lehtë me qenë shqiptar dhe

Nga Mira Kazhani/ Dhe unë mendoja se leksionet më të mëdha i kisha mbyllur me sëmundjen time. Por jeta të surprizon. Ka gjithmonë një hap të ri që ta servir kur nuk e pret.

Dhe ky hap ishte Shqipëria e kësaj jave. Shqipëria e javës së parë të qershorit.

Një Shqipëri që qeshi kur mendonim se ishte fundosur në depresionin e realitetit. “Këta jemi ne”, “kështu jemi ne”, duke sharë vazhdimisht vetveten. Pa besim te njëri-tjetri. Pa besim te vendi ynë. Dhe jo pa të drejtë.

Besimi është gjëja që thyhet më lehtë. Madje më lehtë se një vezë.

Një vend ku opinionin përpiqen ta formësojnë televizione që mbyllen për dy javë nëse nuk punojnë me qeverinë. Jo se njerëzit e hanë sapunin për djathë, por sepse shpesh nuk kanë fuqi të luftojnë me të paprekshmit.

Por ja që çdo gjë paska një limit.

Dhe ena u ça.

Duke lëshuar në rrugë njerëzit.

Ne që qëndruam këtu nuk e kemi më të lehtë se ju që ikët. Nuk është garë se kush e ka më keq. Por nuk është e lehtë të jesh shqiptar në Shqipëri.

Për një vit nuk isha e sigurt nëse do të futesha me makinë në shtëpi, sepse pas orës dhjetë të mbrëmjes vinte një betoniere dhe sillej sikur ne i kishim borxh që duhej të kalonim në rrugën tonë. I vunë një tra dhe e mbyllnin rrugën. Rrugën tonë…

I shihja komshinjtë dhe mendoja: a janë bërë edhe ata me nerva? A mendojnë të largohen? Apo thjesht durojnë?

Për t’u ambientuar me zhurmën e betonieres nisa të bëj humor të zi. E quaja “pianoja e zhvillimit”.

Një ditë mbaroi. Pallati përbri u ngrit. Jeta vazhdoi për të gjithë.

Por trauma mbeti aty brenda.

Mospërfillja. Arroganca me të cilën bashkëjetojmë. Ato grumbullohen. Dhe një ditë kthehen në revoltë. Ndonjëherë edhe në anarki. Nuk është çudi.

Por le të provojmë zhgënjime të reja. Le të bojkotojmë zakone të vjetra.

Sa për çështjen e Zvërnecit, natyra është e çmuar. Por të jem e ndershme deri në fund, më shumë sesa për një resort, i cili ndoshta mund të ishte edhe më i hajrit se shumë të tjerë për të cilët nuk kemi protestuar kurrë, vlera e kësaj jave qëndron diku tjetër.

Tek vendosja e protestës si mënyrë jetese.

Si modë.

Si qytetari.

Kjo protestë mblodhi ajkën e shoqërisë shqiptare, dhe kjo është lehtësisht e dallueshme në fytyrat, pankartat, lulet që u dhuruan policëve dhe atmosferën që krijoi.

Është gjëja më e bukur që i ka ndodhur Shqipërisë prej kohësh.

Një protestë pa kult individi.

Pa autobusë.

Pa detyrim.

Një Bulevard i mbushur me familje dhe fëmijë të vegjël.

Një shesh i mbushur me Gen Z dhe millennials.

Një Shqipëri që rrallë e shohim në ekran. Një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo që mediat ndërkombëtare kanë treguar shpesh: vendi i skifterëve, i shtëpive të barit, i azilantëve apo i njerëzve që luftojnë vetëm për bukën e gojës.

Dy ekstreme.

Kjo ishte protesta që vendosi në vend të parë dinjitetin.

Njerëz që nuk jetojnë vetëm për bukë.

Nuk jetojnë vetëm për t’u duk'.

Jetojnë për dinjitet.

Dhe ndoshta ky është leksioni më i bukur që mund të marrim në jetë:

Se një shoqëri nuk është e humbur kur ende ka njerëz që dalin në shesh jo për interes, por për dinjitet.