Ndërron jetë në moshën 56-vjeçare Marjane Satrapi, autorja e njohur e “Persepolis”

Marjane Satrapi, autorja, ilustratorja dhe regjisorja franko-iraniane e njohur për veprën e saj të famshme “Persepolis”, ka ndërruar jetë në Paris në moshën 56-vjeçare.
E lindur në vitin 1969 në Rasht të Iranit, Satrapi fitoi famë ndërkombëtare me romanin grafik autobiografik “Persepolis”, ku rrëfente përvojën e saj gjatë dhe pas Revolucionit Iranian. Vepra u përshtat më vonë në një film të animuar të vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së saj, Satrapi trajtoi vazhdimisht tema si mërgimi, identiteti, liria dhe të drejtat e grave, duke u kthyer në një nga figurat më të rëndësishme të tregimit grafik bashkëkohor.
Sipas raportimeve, ajo ndërroi jetë në Paris, pak kohë pas humbjes së bashkëshortit të saj, regjisorit Mattias Ripa, i cili u nda nga jeta në vitin 2025.
Autorja e famshme e “Persepolis” e përshkruante Iranin si shtëpinë e saj të vërtetë, duke theksuar se lidhja me atdheun nuk ishte zbehur kurrë:
“E quaj Iranin shtëpi sepse, pavarësisht se sa gjatë jetoj në Francë dhe megjithëse pas gjithë këtyre viteve ndihem edhe franceze, për mua fjala ‘shtëpi’ ka vetëm një kuptim: Irani.”
Në një tjetër deklaratë prekëse, Satrapi shprehte dashurinë e saj të thellë për Teheranin:
“Pavarësisht se sa shumë jam e dashuruar me Parisin dhe bukurinë e tij të papërshkrueshme, Teherani, me gjithë shëmtinë e tij, do të mbetet përgjithmonë në sytë e mi ‘nusja’ e të gjitha qyteteve të botës.”