Aktualitet

Rama në CNN për Zvërnecin: Nuk ka projekt, ka dezinformim

Rama në CNN për Zvërnecin: Nuk ka projekt, ka dezinformim

Kryeministri Edi Rama dha një intervistë të tensionuar për CNN, ku u pyet nga gazetarja Isa Soares mbi protestat kundër projektit të shumëdiskutuar në Zvërnec.

Gjatë bisedës, Rama replikoi me gazetaren duke thënë se protestat nuk po zhvillohen në të gjithë Shqipërinë, por vetëm në Tiranë. Nga ana tjetër, CNN solli në intervistë një aktivist nga Zvërneci, i cili argumentoi se plani parashikon ndërtimin e një kompleksi me përmasa të mëdha në një habitat natyror me rëndësi të veçantë.


Debati u përqendrua edhe te informacionet kontradiktore që kanë qarkulluar mbi projektin luksoz të lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump. Sipas CNN, polemikat dhe akuzat për “fake news” kanë marrë më shumë vëmendje sesa sqarimet zyrtare për vetë projektin.

Në intervistë, Rama deklaroi se aktualisht nuk ekziston ende një projekt përfundimtar. Ai tha se Shqipëria po përballet me një “luftë hibride” nga fqinjët e saj, duke lënë të kuptohet se kritikat lidhen edhe me xhelozinë për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Kryeministri shtoi se pesë nga arkitektët më të njohur në botë po punojnë mbi konceptet e mundshme për zonën, ndërsa këmbënguli se kundërshtimet ndaj projektit janë nxitur nga informacione të pavërteta dhe pretendime që nuk mbështeten në fakte.

Intervista vjen në një moment kur debati mbi të ardhmen e Zvërnecit dhe ndikimin e mundshëm të zhvillimeve turistike në ekosistemin e zonës mbetet një nga temat më të diskutuara në opinionin publik shqiptar