Çfarë kam bërë në shtëpi dhe çfarë do bëj kur të dal!
Të shoh që del çdo ditë me këmbët zbathur dhe flet për librat që mund të lexojmë. Ta nisim me formën: Pse ke zgjedhur këtë mënyrë? E ke parë diku? Kërkon të tërheqësh vëmendjen? Apo forma sot është e para, qoftë edhe kur flasim për librat?
Në fakt herën e parë që e bëra, më erdh krejt natyrshëm. Jam në shtëpi, në shtëpi zbathur rri, madje është një kontakt shumë i bukur me tokën, aty marr forcë edhe pse fatkeqësisht nuk është ajo toka e vërtetë, po s’ka gjë. Pastaj dhe të lexosh mua më jep ndjesinë e një gjëje natyrale, me këmbë në tokë. Më pas lexoja shumë komente, edhe nga zonja të nderuara, disa e mbanin veten dhe qytetare (të rrish zbathur nuk tregon qytetari thosh njëra) kjo ma përforcoi më tepër dëshirën. T’i jap përmbajtje asaj që them, edhe pse jo me seriozitetin e këmbëve me çorape apo me këpucë (këpucë në shtëpi? S’është higjienike)
A mendon se pas një krize si kjo e Covid, do kthehemi nga përmbatja apo edhe më shumë për nga forma?
Nga forma ishim, madje ishim tepër shumë. Urimi i të gjithëve është t’i kthehemi përmbajtjes, disa do ta bëjnë mendoj. Por duke lexuar Marias ndjeva tek ai pesimizmin që pasi të dalim do turremi sërish si më parë. Edhe këtu luan rol aftësia e të kuptuarit dhe të reflektuarit të shoqërisë. E kam këtë frikë edhe vetë shumë të fortë brenda vetes.
Unë vetë mendoj që forma do mbizotërojë dhe krizat në vend të dërrmojnë sistemet totalitare në fakt duket se po dërrmojnë njeriun e lirë. Po meqë jemi te kjo temë, cilin autor apo cilët duhet të lexojmë?
Eh ja dhe ti ke të njëjtën frikë, e di. E kemi por duhet të bëjmë ç’kemi në dorë për ta penguar. Secili mund të bëjë diçka. Ti me shkrimet që zgjedh të botosh, unë me librat që zgjedh të promovoj. Shumë të bukur me këtë temë, pra me luftën kundër totalitarizmit dhe pro lirisë individuale mund të lexohet “Mashtruesi” i Javier Cercas, ose “Tigri i bardhë” i Aravind Adigës. Ose “Fëmijët e mesnatës” nga Salman Rushdie, ose dhe “Gomorra” e Roberto Savianos.
Çfarë libri po lexon vetë?
Tani një libër të hatashëm: “Fate dhe shtrëngata” nga Lauren Groff, një libër shumë i promovuar nga Barack Obama dhe tani që po e lexoj e kuptova pse. Ndërkaq kam në redaktim një libër ikonë të lirisë dhe totalitarizmit: “Banaliteti i së keqes” i Hannah Arendt.
A janë shitur libra? Nese ke informacion cili është libri që po blihet më shumë nga Dudaj?
Në fakt më shumë se janë shitur libra, mendoj që njerëzit kanë lexuar edhe libra të blerë të palexuar. Por edhe janë kërkuar një sërë librash. Isabel Allende mendoj është shkrimtarja më e kërkuar. Por edhe librat e Nesbo, Marias, Lwckberg.
I ndjek lajmet?
Uhh në fillim shumë. Veçse kam qenë shumë e kujdesshme të lexoja vetëm media të besueshme. CNN, BBC, La reppublicca, Ansa dhe Tiranapost. Përherë. Pastaj avash avash fillova ta rralloj, se në fillim më dukej se gjërat do ndryshonin çast pas çasti. Në fakt nuk qe ashtu, do të duheshin javë e muaj.
Je dakord me masat e marra nga qeveria?
Po. Kam qenë dakord me masat e marra. Tani mendoj që avash avash të fillojë të hapet, të fillojë jeta e të bashkëjetojmë. Nuk ka më kuptim të qëndrojmë mbyllur pa kufi.
Si po e kalon në shtëpi?
Unë s’para e kam problem të qëndroj në shtëpi. Po kur ta ndalojnë këtë, vjen një çast e të duket sikur mbytesh. Në fakt edhe kam shkuar në punë me oraret e përcaktuara, por kam bërë edhe gjëra që normalisht duan kohë. Kam bërë çdo ditë Yoga me klasën time online. Më parë se bëja dot përditë. Leximi ka qenë më i shumtë. Kam parë filma të bukur. Dhe nuk kam gatuar asgjë, se nuk di
Çfarë do bësh kur të vijë normaliteti?
Do bëj gjërat që kam bërë përherë, po mendoj se do t’ua di më shumë vlerën, do t’i shijoj më shumë. Dhe kushedi me ç’mend do dal pas karantinës, këtë do ta zbuloj sapo të dal dhe do të ta them ty në telefon.
Ke frikë nga Covid?
Fare. S’kam pasur asnjë frikë për vete qysh nga dita 1. Por kam pasur frikë për prindërit të cilët janë akoma të mbyllur dhe s’i kam takuar.
Në New York do doje të ishe sot apo në Tiranë?
Do të doja të isha zbathur në një vend të bukur me bar, në mes të natyrës. Duke bërë gjërat që kam bërë më parë po me më tepër shije dhe brendi.