Rama thotë se protesta e Zvërnecit është e nxitur nga iranianët

Nga Mali i Zi ku ndodhet për një vizitë zyrtare, kryeministri Rama ka folur përpara mediave edhe për protestat në lidhje me cështjen e Zvërnecit. Sipas Ramës, kjo nuk është vetëm një protestë e ngritur nga ambientalistët, por pas saj fshihen edhe armiqtë e Shqipërisë, të cilët disa herë kanë realizuar sulme kibernetike, iranianët.
"Në fakt pik së pari kjo nuk ka të bëjë me ambientalistët ose po themi nuk ka të bëjë vetëm me ambientalistët, ka të bëjë pik së pari me një luftë hibride.
Armiq të vendit të cilët i njohim, të gjithë ata që e dinë historinë tonë, i njohin ata, iranianët, të cilët janë angazhuar në sulme kibernetike kundër nesh qysh prej një kohe të gjatë dhe që na kanë bërë kaq shumë dëme sa na kanë detyruar që t'i nxirrnim nga vendi, janë pjesë e kësaj për të nxitur narrativën se projekti nuk është ajo që thuhet, por është një marrëveshje midis meje dhe Bibi Netanyahu gatuar nga Jared Kushneri për të sjellë palestinezët nga Gaza në Shqipëri. Kjo është një prej narrativave dhe ka tërhequr shumë vëmendje.
Keni parë shumë video të rreme me qindra mijëra njerëz që bërtasin “Izrael shko në shtëpi”. Është e gjitha e rreme sepse nuk ka asgjë të tillë në Shqipërinë reale dhe është turp për ata që i bëjnë të gjitha këto gjëra.
Nga ana tjetër ka njerëz mirëfilli të shqetësuar me qëllime të mira dhe ju kam thënë e ju them nuk keni asgjë për t'u shqetësuar sepse projekti nuk është gati. Nuk e kemi projektin. T'i siguroj për çfarë? Ne kemi qenë të parët që kemi vendosur standardet për projektin që do të vijë dhe do të presim projektin. Nuk ka asgjë për t'u shqetësuar, në qoftë se nuk sheh që numri i llogarive apo i shqiptarëve në mjedisin digjital është rritur që në ditët e parë të këtyre sulmeve. Është një sulm hibrid", tha Rama.