Stil jete

South Outdoor Festival prezanton OFF/LINE, një edicion special kushtuar viteve të paharrueshme në Borsh.

Më 3 dhe 4 korrik 2026, OFF/LINE Festival sjell në Borsh një edicion special, të krijuar në frymën e South Outdoor Festival. Ky event vjen si një ndalesë e veçantë për vitet që South la në Borsh, ndërsa festivali përgatitet për kapitullin e tij të ri në 2027.

South Outdoor Festival nisi rrugëtimin në Pilur, vijoi në Vuno dhe më pas u zhvillua për disa edicione në Borsh, ku krijoi një nga periudhat më të njohura dhe më të ndjekura të festivalit. Për shumë prej ndjekësve, Borshi mbetet i lidhur me aventurat, miqtë, muzikën dhe eksperiencat që u krijuan gjatë atyre viteve.

OFF/LINE Festival vjen si një format i veçantë, jo si edicioni klasik i South Outdoor Festival, por si një moment për t’u mbledhur edhe një herë në Borsh. Ky edicion është menduar si një falënderim për publikun që ka qenë pjesë e rrugëtimit të South Outdoor dhe që e ka kërkuar rikthimin e kësaj energjie.

Programi muzikor do të jetë i fokusuar te muzika elektronike, me drejtim kryesor drejt Afro House. Në skenë do të ngjiten artistë ndërkombëtarë si Topic, një nga emrat më të njohur të skenës dance/electronic, me hite që kanë arritur miliona dëgjime dhe sukses global, si dhe Zamna Sound System, emër i lidhur me një nga eksperiencat më të njohura të muzikës elektronike në arenën ndërkombëtare. Së bashku me Khenya dhe Djuma Soundsystem, ata do të jenë pjesë e programit të dy netëve të festivalit, krahas emrave të tjerë të lineup-it.

Për këtë edicion pritet një produksion i madh, në vazhdën e standardit që South Outdoor Festival ka ndërtuar ndër vite. OFF/LINE synon të sjellë në Borsh një moment muzikor të rëndësishëm për sezonin veror, me vëmendje te cilësia e organizimit.

OFF/LINE Festival do të jetë me hyrje të lirë, si një ftesë e hapur për komunitetin e South Outdoor dhe për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij eventi.