Stil jete

Nëse nuk je me ne, je armik!

Nëse nuk je me ne, je armiku.

Eshtë ndoshta një nga frazat më të vjetra dhe më të rrezikshme në historinë e njerëzimit.

Në kohë të ndryshme, është veshur në forma të ndryshme. Por logjika ka mbetur e njëjta: kush mendon ndryshe duhet përqeshur, poshtëruar, izoluar ose heshtur.
Sot kjo logjikë është shtruar këmbëkryq në rrjetet sociale.
Jo përmes argumenteve, por përmes turmave virtuale, etiketimeve, sharjeve dhe linçimeve publike.

Shpesh jo për të bindur, por për të frikësuar. Që të heshtësh.
Dhe kështu humbet diçka shumë më e rëndësishme, se një debat: humbet kuraja për të menduar me kokën tënde.

Një shoqëri e lirë nuk është ajo ku të gjithë mendojnë njësoj.
Eshtë ajo ku njerëzit mund të mos bien dakord pa u trajtuar si armiq.
Demokracia nuk ka nevojë për unanimitet. Ka nevojë për liri.

Ka njerëz që nuk kërkojnë të të bindin.
Nuk kërkojnë debat.
Nuk kërkojnë dialog.
Duan thjesht një gjë:
Ta "qepësh" gojën.

Nuk ka rëndësi çfarë thua.
Mjafton që të mos thuash atë që thotë turma.
Dhe në çast nuk je më bashkëqytetar.
Nuk je më kundërshtar.
Je armik.

Fillimisht vijnë talljet.
Pastaj sharjet.
Pastaj poshtërimi publik.
Dhe në fund, kërcënimet.
Në mungesë të argumentit, shfaqet dhuna.
Jo domosdoshmërisht fizike. Flasin vazhdimisht në emër të popullit.
Dhe vendosin:
Kush është "i mirë".
Kush është "i keq".
Kush duhet dëgjuar.
Dhe kush duhet të heshtë.

Nuk ka mendim ndryshe.
Ka vetëm dy kategori:
"Ne" dhe "Ata".
Dhe kush nuk është me ta, automatikisht kalon në kampin e armikut.

Problemi nuk është se nuk bien dakord me ty.
Kjo është normale.
Problemi fillon kur mosdakordësia bëhet "krim".

Nuk duan debat.
Debati kërkon dëgjim dhe durim.
Kërkon mundësinë që ndoshta mund të jesh gabim.
Dhe pikërisht kjo bëhet e papranueshme. Shumë njerëz nuk largohen nga rrjetet sociale sepse nuk kanë mendim.
Largohen sepse lodhen.
Lodhen nga linçimi.
Nga sharjet.
Nga sulmet personale.
Nga ideja se çdo mendim mund të të kthejë në shënjestër.

Dhe kështu ndodh diçka e rrezikshme.
Jo sepse urrejtësit bëhen shumicë.
Por sepse shumica hesht.

Njëri nuk komenton.
Tjetri nuk merr pjesë.
Një i tretë nuk shpreh mendim.
Jo sepse bien dakord me turmën.
Por sepse nuk duan të bëhen viktimat e radhës.

Historia tregon se liria nuk humbet vetëm nga censura e pushtetit.
Humbet edhe nga frika e turmës.
Nga presioni për t'u përshtatur.
Nga frika se mos bëhesh shënjestër.

Një shoqëri e lirë nuk është ajo ku të gjithë mendojnë njësoj.
Një shoqëri e lirë është ajo ku njerëzit mund të mendojnë ndryshe, pa u poshtëruar për këtë.

Momenti kur mendon se çdo kundërshtar duhet heshtur, është momenti kur pushon së mbrojturi një ide.
Dhe fillon të mbrosh një dogmë.

Demokracia nuk matet nga mënyra si trajtojmë ata që bien dakord me ne.
Matet nga mënyra si trajtojmë ata që nuk bien.

A jemi gati për këtë lloj pjekurie?

*Marrë nga Bota.al