Ikballe Berisha Huduti shpallet “person i padëshiruar” nga Shqipëria

Ikballe Berisha Huduti, një shtetase e Kosovës, është shpallur “person i padëshiruar” nga Shqipëria.
Urdhri është firmosur nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, sipas të cilit, asaj i ndalohet hyrja në vendin tonë për një periudhë 15-vjeçare.
Arsyet e këtij vendimi bazohen në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e saj vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.
Huduti është shfaqur së fundmi në protestat që po zhvillohen në Tiranë. Ndërsa gjatë të enjtes, Kryeministri Edi Rama postoi një foto të saj me ish-presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad.
“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllain e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmadinejad dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruante kryeministri.