Lajme nga Bota

Vazhdon përplasja Meloni - Trump: Italia është sjellë shumë keq me ne

Kryeministrja e Giorgia Meloni po përpiqet të ulë tensionet me Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se “çështja është e mbyllur” dhe se nuk duhet të ketë bojkot ndaj SHBA-së. Megjithatë, situata duket se mbetet e tensionuar.

Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer kritikat ndaj Italisë, duke deklaruar nga Zyra Ovale se “Italia është sjellë shumë keq”. Ai përmendi gjithashtu edhe Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, duke akuzuar aleatët se nuk kanë mbështetur mjaftueshëm SHBA-në.

“Nuk kanë qenë pranë nesh, ndërsa ne kemi shpenzuar miliarda dollarë për ta”, u shpreh Trump.

Sipas raportimeve të medias italiane, Meloni ka zgjedhur të mos reagojë publikisht ndaj deklaratave gjithnjë e më të ashpra të Presidentit Trump, por brenda Pallatit Chigi u ka dhënë udhëzime ministrave të saj për të mos e përshkallëzuar përplasjen. “Për mua, çështja është e mbyllur”, ka thënë ajo, megjithëse kjo duket më shumë si një dëshirë sesa një realitet, pasi kritikat nga Uashingtoni vazhdojnë.