Politikë

Ditmir Bushati: Flamingot janë shqiptarë të revoltuar për atdheun e plaçkitur. Shqipëria e Re, kapitull i pashmangshëm tani

Ditmir Bushati ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për “flamingot”, duke i cilësuar ata si qytetarë të revoltuar nga mënyra se si është trajtuar vendi ndër vite. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ish-ministri i Jashtëm thekson se këta qytetarë nuk janë të manipuluar nga faktorë të jashtëm apo algoritme, por janë shqiptarë të ndërgjegjshëm që kërkojnë më shumë drejtësi, dinjitet dhe mundësi. Bushati shprehet se çdo ditë po bëhet më e qartë se “Shqipëria e Re” nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm për vendin.

Reagimi: Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë. Të vetëdijësuar për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar. Janë qytetarë që besojnë se Shqipëria meriton më shumë: më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë.

Çdo ditë që kalon e forcon bindjen se Shqipëria e Re nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm që duhet përqafuar. Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi. #Shqipëriameritonmëshumë