Performoi pa hixhab, Irani dënon këngëtaren dhe ekipin e saj me rrahje me kamzhik

Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi dhe tetë anëtarë të ekipit të saj të produksionit, përfshirë muzikantë, janë dënuar me 74 goditje me kamzhik, si pasojë e një koncerti të transmetuar drejtpërdrejt në kanalin e saj në YouTube gjatë vitit 2024.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Gjykata Penale e provincës Qom ka vendosur gjithashtu një ndalim dyvjeçar për të dalë jashtë Iranit dhe një ndalim dyvjeçar për të ushtruar aktivitet artistik. Artistët u shpallën fajtorë për "cenim të moralit publik" përmes prodhimit dhe publikimit në internet të asaj që autoritetet e cilësuan si "përmbajtje vulgare dhe imorale".
Edhe pse autoritetet gjyqësore iraniane nuk e kanë bërë ende publik vendimin, organizatat për të drejtat e njeriut dhe avokatët që kanë shqyrtuar dokumentet thonë se ky rast është pjesë e një fushate më të gjerë të regjimit për të shtypur artistët që sfidojnë kufizimet kulturore dhe shprehin hapur mospajtimin.
Në dhjetor 2024, Ahmadi, 29 vjeç, interpretoi pa hixhab këngën patriotike "Az Khoone Javanane Vatan" ("Nga gjaku i të rinjve të atdheut") në një koncert të transmetuar drejtpërdrejt, i cili u bë viral në rrjetet sociale.
Menjëherë pas publikimit të videos, ajo dhe disa nga muzikantët u ndaluan përkohësisht nga autoritetet, për t'u liruar më pas. Më vonë, ndaj tyre u ngrit një padi zyrtare për publikimin e videos, e cila deri më sot ka grumbulluar miliona shikime në YouTube.
Bahar Ghandehari, drejtoreshë e avokimit në Qendrën për të Drejtat e Njeriut në Iran me seli në SHBA, deklaroi se: "Dënimi i Parastoo Ahmadi me 74 goditje me kamzhik vetëm sepse këndoi dhe u shfaq pa hixhab është një tjetër dëshmi se gjendja e të drejtave të njeriut në Iran mbetet e pandryshuar, pavarësisht përpjekjeve propagandistike të autoriteteve për të përmirësuar imazhin e tyre."
Vendimi ka shkaktuar shqetësim të madh në mesin e artistëve iranianë, të cilët e shohin atë si një sinjal të përshkallëzimit të represionit kulturor.
Aktorja iraniano-britanike Nazanin Boniadi reagoi duke thënë: "Dënimi i Parastoo Ahmadi me kamzhik vetëm sepse këndoi publikisht pa hixhab është një kujtesë e fortë se makineria shtypëse e Republikës Islamike vazhdon të funksionojë e pandryshuar."
Ajo shtoi se tolerimi i një regjimi që ndëshkon gratë për zërin e tyre dhe vret qytetarët që kërkojnë të drejtat e tyre vetëm sa e inkurajon atë të vazhdojë politikat represive.
Edhe aktorja iraniane Setareh Maleki, e cila jeton në mërgim pasi interpretoi në filmin e nominuar për Oscar "Fara e Fikut të Shenjtë", tha se performanca e Ahmadi pati një ndikim të thellë emocional tek ajo.
"Kur pashë videon e koncertit të Parastoo Ahmadi, më riktheu frymën e rezistencës. Për ditë të tëra e pashë vazhdimisht dhe ndjeva krenari të jashtëzakonshme për të. Edhe pse e dinte se me çfarë pasojash do të përballej, ajo nuk hoqi dorë nga e drejta e saj për të jetuar, për të kënduar dhe për t'u dëgjuar."
Maleki theksoi se gratë iraniane nuk reshtin së luftuari kundër tiranisë dhe se, për një artist që refuzon censurën brenda Iranit, vetë jeta e përditshme është një akt rezistence.
"Kemi bërë një rrugë të gjatë, por kemi ende shumë për të bërë. Çdo artist që ngre zërin na rikthen shpresën dhe bëhet një dritë udhërrëfyese për të gjithë ne", përfundoi ajo.