Aktualitet

BE miraton raportin për Shqipërinë, por rrëzon çështjen e Nartës! Kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024

Parlamenti Europian miratoi sot raportin për Shqipërinë për vitin 2025 me 483 vota pro. Raporti, i përgatitur nga eurodeputeti Andreas Schieder, ishte miratuar më herët edhe në Komisionin për Punët e Jashtme. Para votimit, eurodeputetët hodhën poshtë amendamentin që kishte të bënte me projektet turistike në zonat e mbrojtura të Vjosë-Nartës dhe ishullit të Sazanit.

Parlamenti Europian kërkon vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm për çdo leje dhe zhvillim të ri në zonat e mbrojtura, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2024 që lejuan investime turistike në këto territore.

Eurodeputetët shprehin shqetësim për zhvillimet në zonën Vjosa-Nartë dhe kërkojnë që Shqipëria të harmonizojë legjislacionin e saj me standardet europiane të mbrojtjes së mjedisit. Sipas rezolutës, çdo ndërhyrje e re në zonat e mbrojtura duhet të pezullohet deri në përmbushjen e këtyre standardeve.

Rezoluta vjen në një moment kur protestat qytetare kundër ndërtimeve në Nartë dhe Zvërnec kanë hyrë në javën e tretë, ndërsa institucionet europiane kanë paralajmëruar se respektimi i rregullave mjedisore është pjesë e detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në amendament shkruhet:

“Parlamenti Europian shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji shqiptar i vitit 2015 “Për Investimet Strategjike” është zgjatur, duke pasur parasysh se dispozitat e tij mundësojnë procedura të përshpejtuara të dhënies së lejeve dhe reduktim të kontrollit mjedisor, çka rrezikon të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe në zona të tjera të ndjeshme nga pikëpamja mjedisore.

Parlamenti bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore.

Po ashtu, Parlamenti shpreh shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti luksoz turistik në Ishulli i Sazanit dhe në zonën e mbrojtur të Vjosa-Nartë.

Parlamenti bën thirrje për mbështetje të hetimit antikorrupsion që po zhvillohet aktualisht nga SPAK në këtë kontekst.

Gjithashtu, kërkohet që të garantohet e drejta për protestë paqësore dhe që ajo të mos përballet me represion nga kompani private sigurie, siç ndodhi gjatë përplasjeve të regjistruara në fund të muajit maj 2026.

46.Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji shqiptar i vitit 2015 “Për Investimet Strategjike” është zgjatur, duke pasur parasysh se dispozitat e tij mundësojnë procedura të përshpejtuara për dhënien e lejeve dhe reduktojnë kontrollin mjedisor, çka rrezikon të ketë ndikim negativ mbi zonat e mbrojtura dhe zona të tjera të ndjeshme nga pikëpamja mjedisore.

Bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen dhe kontrollin mjedisor”.