Bien çmimet e naftës pas njoftimit për marrëveshjen SHBA-Iran

Çmimet e naftës shënuan rënie në tregjet aziatike këtë të hënë, pas njoftimit për një marrëveshje kornizë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila pritet të çojë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Sipas deklaratës së kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, vendi i tij ka ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes, ndërsa ceremonia zyrtare e nënshkrimit pritet të zhvillohet më 19 qershor në Zvicër.
Pas këtij zhvillimi, nafta Brent ra me 4.8%, duke u tregtuar me 83.18 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane (WTI) humbi 5.6% të vlerës, duke zbritur në 80.13 dollarë për fuçi.
Edhe zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, konfirmoi se marrëveshja me SHBA-në është finalizuar, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump reagoi në rrjetet sociale me mesazhin: "Le të rrjedhë nafta!".
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se mungesa e detajeve mbi përmbajtjen e marrëveshjes mund të mbajë tregjet në pasiguri gjatë ditëve në vijim. Sipas Vandana Hari, nga Vanda Insights, investitorët do të presin sqarime të mëtejshme për të vlerësuar ndikimin real të marrëveshjes në tregun global të energjisë.
Ngushtica e Hormuzit ishte mbyllur pas përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, ndërsa përmes saj kalon rreth 20% e tregtisë botërore të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.