Aktualitet

Intervista në “Vanity Fair”/ Rama flet për Sazanin, protestat dhe momentin e dorëheqjes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Vanity Fair Italia”, ku flet gjerësisht për protestat në vend, projektin e debatueshëm të zhvillimit në zonën e Sazanit dhe Vlorës, si dhe për akuzat politike e mjedisore që kanë shoqëruar këtë çështje në javët e fundit.

Në intervistë, Rama përballet me pyetje të drejtpërdrejta mbi reagimin e fortë të qytetarëve, të cilët kundërshtojnë idenë e dhënies së një projekti turistik investitorëve të huaj, përfshirë Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Kreu i qeverisë e cilëson debatin si të ndërtuar mbi “gjysmë të vërteta”, duke këmbëngulur se nuk bëhet fjalë për shitje territoresh.

Intervista prek gjithashtu marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, qëndrimet ndaj krizave ndërkombëtare, si dhe raportet politike të Ramës me liderë si Giorgia Meloni, në një moment kur vendi ndodhet mes presionit të brendshëm dhe ambicieve për integrim europian.

Edi Rama: Muret e kësaj zyre lëvizin.
Në ç’kuptim?

Kur fitova zgjedhjet për herë të parë, në 2013, i kërkova një këshillë Tony Blair-it. Ai më tha: ‘Të qeverisësh një vend është si të qëndrosh përballë një afresku. Duhet të mbash distancën e duhur, sepse nëse afrohesh shumë humbet tablonë e përgjithshme.’ Problemi është se shpesh është vetë afresku që vjen drejt teje. Muret ngushtohen derisa ndihesh si në një qeli nga e cila nuk mund të dalësh.

Hapësira jetike e kryeministrit të Shqipërisë Edvin Rama, i njohur si Edi, 62 vjeç (më 4 korrik), dy metra i gjatë, po ngushtohet nga shumë anë: nga drejtësia, hetimet për korrupsion që kanë prekur edhe zëvendësen e tij Belinda Balluku; nga opozita e Sali Berishës, ish-kryeministër që e akuzon për shndërrimin e vendit në “narko-shtet”; nga afatet për afrimin me standardet e BE-së me synimin e anëtarësimit në 2027; dhe nga vetë sheshi i protestave.

Që nga 23 maji, mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Tiranës kundër dhënies së ishullit të Sazanit dhe bregdetit të Vlorës Jared Kushner-it dhe Ivanka Trump-it, që synojnë ndërtimin e resorteve luksoze në zona të paprekura natyrore. Flamingot janë bërë simboli i lëvizjes “revolucioni i flamingove”, me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”.

I rrethuar nga presioni, Rama thotë:

“Nëse do të ishte e vërtetë që po shesim tokën tonë për oligarkë që do ta shkatërrojnë, do të isha i pari që do të ndihesha i neveritur. Por a është e vërtetë?”
“Është një narrativë e ndërtuar mbi gjysmë të vërteta që, duke kaluar nga goja në gojë e nga postimi në postim, është kthyer në një gënjeshtër të madhe.”

Vanity Fair (VF): Le të fillojmë me gjysmë të vërtetat.

Rama: Ka dy çështje. E para: bregdeti i Vlorës ka qenë pronë private dhe është shitur investitorëve.

VF: Ka nga ata që thonë se shitja nuk ka qenë e ligjshme dhe se dhëndri i Donald Trump-it, Jared Kushner, po hetohet.

Rama: Pronari i mëparshëm ishte nën hetim për një çështje tjetër. Tani transaksioni është pezull deri në verifikimin e pronësisë së ligjshme të tokës, që në Shqipëri mbetet çështje e ndërlikuar që nga rënia e regjimit dhe rishpërndarja e pronave. Kur të sqarohet, pagesa do t’i shkojë atij që i takon.

VF: Po siti i dytë?

Ishulli i Sazanit është shtetëror. Nuk ka asnjë plan për ta shitur. Po negociojmë një partneritet. Më pas do të bëhen analizat mjedisore për të siguruar mbrojtjen e natyrës.

VF: Ju akuzojnë se keni ndryshuar ligjin e mbrojtjes së mjedisit pak para fillimit të negociatave me Kushner, për t’i hapur rrugën projektit

Rama: Ne kemi përshtatur legjislacionin tonë me standardet e BE-së që parashikojnë nivele të ndryshme mbrojtjeje. Ka zona të paprekshme, si delta e lumit Vjosa dhe zona ku mund të ndërtohet, por gjithmonë sipas parametrave europianë.

VF: Por sheshi (referuar protestës) kërkon tërheqje të plotë nga projekti.

Rama: E çuditshmja është se ende nuk ka projekt konkret. Ka vetëm një ide, një vizion mbi të cilin po punojnë disa nga arkitektët dhe inxhinierët më të mirë në botë: Kengo Kuma, Jean Nouvel, Dong Yugan. Kur projekti të jetë gati, do ta bëjmë publik dhe do të diskutojmë me ambientalistët.

VF: Megjithatë, çdo ndërhyrje do të ndikojë më shumë se mosndërhyrja.

Në këtë rast, marrëveshja parashikon që në fund të ketë më shumë zona të gjelbra se më parë. Problemi është se shumë njerëz mendojnë se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës janë armiq. Nuk është e vërtetë. Vetëm turizmi elitar mund ta shpëtojë vendin nga turizmi masiv. Por shumë nuk duan të dëgjojnë, sepse janë të fokusuar diku tjetër.

VF: Ku?

Rama: Te emri i investitorit: Kushner, dhëndri i Trump. Por kur nisën bisedimet, president i SHBA ishte Biden dhe nuk dihej nëse Trump do të kthehej apo jo në Shtëpinë e Bardhë. Është gabim të përdoret Shqipëria për beteja politike të të tjerëve.

VF: Kë keni parasysh?

Rama: Lista është e gjatë. Mes protestuesve ka edhe ndikime nga Irani. Shqipëria ka qenë më parë nën sulme kibernetike nga Teherani. Nuk ia dolën. Tani po përpiqen përmes një narrative anti-Izrael. Fjalë të pavërteta. Ka edhe konkurrentë turistikë që nuk duan zhvillimin tonë. Ka edhe kundërshtarë politikë. Por shumica janë qytetarë që besojnë vërtet. Atyre u them: prisni projektin dhe pastaj gjykoni.

VF: Ata kërkojnë dorëheqjen tuaj. A e mendoni ndonjëherë?

Rama: Sa kohë të kem pasion, do të qëndroj. Nëse Shqipëria hyn në BE, mbledhja e parë si shtet anëtar do të ishte momenti më i bukur për të dhënë dorëheqjen.

VF: A jeni ende gati të hiqni dorë nga e drejta e vetos?

Rama: Po. Europa duhet të jetë si një tryezë familjare, me hierarki. Jo kategori qytetarësh, por BE nuk mund të funksionojë me unanimitet për gjithçka.

VF: Sa i leverdis BE-së zgjerimi?

Rama: Një studim i Parlamentit Europian thotë se është më e shtrenjtë ta lësh Ballkanin jashtë sesa t’i pranosh brenda.

VF: A është edhe një mënyrë për të kufizuar ndikimin rus?

Rama: Jo për Shqipërinë. Ne nuk kemi marrëdhënie me Kremlinin që nga viti 1960. Popullariteti i Putinit këtu është 2.7%. Ndryshe nga Serbia.

VF: Por ju keni thënë se me Putinin duhet folur për paqen në Ukrainë.

Rama: Po, duhet dialog sepse Rusia është aty dhe do të mbetet. Europa duhet të ketë rol diplomatik edhe në konflikte të vështira.

VF: Si qëndroni sot me Izraelin dhe qeverinë e Netanyahut, pas numrit të madh të viktimave në Palestinë?

Rama: Shqipëria është vend që nuk mund të mbajë qëndrime të forta ‘barrikadë’. Ne kemi marrëdhënie me shumë vende dhe duhet pragmatizëm. Hamasi është e keqja absolute. Nuk jam në pozitën t’i bëj moral askujt.

VF: E njëjta logjikë për qendrat e emigrantëve (Cpr)?

Rama: Ne nuk mund të pyesim shumë kur Italia na kërkon ndihmë, kur ata nuk na kanë pyetur ne në të kaluarën.

VF: Me Giorgia Meloni vini nga botë të ndryshme ideologjike.

Rama: Ajo nuk më duket trashëgimtare e Mussolinit. Më shumë e Pentapartitit. Ideologjitë e ndryshme nuk pengojnë bashkëpunimin.

VF: A ka qenë ideologjia gjithçka për ju?

Rama: Kam qenë marksist në adoleshencë dhe mendoja se italishtja ishte gjuhë fashistësh. Më vonë kuptova sa gabim isha.

VF: A ka qenë jeta juaj në rrezik?

Rama: Po. Një herë u sulmova me shufër hekuri dhe më lanë pothuajse të vdekur në rrugë.

VF: Pse u kthyet në Shqipëri?

Pas vdekjes së babait u ktheva nga Parisi dhe atë ditë më ofruan post ministri kulture. Në atë moment vendosa të qëndroj.

VF: A jeni penduar?

Rama: Jo. Kam jetuar intensivisht. Jeta ime është si një film.

VF: Besoni në Zot?

Jam katolik, por jo praktikant. Kam qenë shumë i lidhur me Papa Françeskun.

VF: Po Papa i ri?

Rama: E kam takuar një herë. Është më pak ekspresiv, por i qëndrueshëm.

VF: A keni kohë për art?

Rama: Vazhdoj të vizatoj në zyrë.

VF: Në zyrë keni një vizatim të djalit tuaj.

Rama: Po. Më ka shkruar: ‘Babi, jam krenar për ty’.

VF: Çfarë marrëdhënie keni me familjen?

Rama: Gruaja ime është kritikja ime më e fortë. Më sfidon gjithmonë.

VF: Çfarë ua prish gjumin?

Rama: Sepse shpesh ndihem i vetëm në vendimmarrje. Në fund, gjithçka bie mbi mua.