
Mesazhi për Flamingot
Të ishte për botën, Narta mund të kthehej qetësisht 10 vjet më parë, kur flamingot nuk shtegtonin më drejt lagunës së saj, sepse i priste plumbi i kafshëve të dehura me dy këmbë. Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urren për vdekje krejt armata globale online.
Mesazhi për kritikët brenda së majtës
Kam parë që ka edhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan një Shqipëri të re, mezi pres të na e sjellin draftin të shkruar. Jemi gati për një marrëveshje të re për një Shqipëri të re. Po kam frikë se drafti nuk do vijë kurrë.
Mesazhi për influenceret
Ka njerëz që kurrë në jetën e tyre nuk e kanë imagjinuar të përzihen me politikë e protesta, por janë bërë parellinj me shalë e kremra, që të shfaqen atje bashkë me shalët dhe kremrat e tyre sepse është trendi. Kanë frikë të mbeten jashtë valës.
Mesazhi për algoritmin
Fjala “drogagji”, “ik mor drogagji”, është një refren që mua më ndjek si e vërtetë.
Siç është e vërtetë që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me time shoqe dhe për atësinë e djalit tim, është bërë e vërtetë çfarëdo të them unë. Nuk kanë rëndësi letrat e gjykimit, algoritmi e ka bërë të vërtetë, siç kanë bërë të vërtetë që unë jam një kusar që marr pjesën time nga çdo lloj gjëje që bëhet në Shqipëri.
Mesazhi për dorëheqjen
Kam patur shumë mesazhe, sikur më ka shkuar në mend të jap dorëheqjen.
Por një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqësish nuk i jepet zhurmës dhe sa më shumë zhurma zmadhohet aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet duke i bashkuar të gjithë në emër të destinacionit.