
Gjyqi për çështjen CEZ-DIA është shoqëruar me përplasje mes ish-bashkëshortëve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Gjatë deklarimeve të tij, ish-presidenti mohoi çdo ndërhyrje politike apo ndikim në çështjen për të cilën akuzohet, duke thënë se veprimet e ish-bashkëshortes së tij i di vetë ajo.
Meta hodhi poshtë pretendimet për mesazhe apo komunikime me persona të përmendur në dosje, duke i cilësuar akuzat si shpifje.
"Nuk ekziston asnjëlloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi.”, mësohet të ketë thënë Meta.
"Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?", i është kthyer Monika Kryemadhi, e cila vijon më tej.
"Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?"
Duke iu referuar kështu deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, që ishte prezent në sallë.