KE fik kondicionerët për katet e poshtme, por jo për shefen dhe komisionerët, shpërthen zemërimi: S'jemi feudalizëm

Vala ekstreme e të nxehtit ka shkaktuar polemika në zemër të Bashkimit Europian. Në selinë e Komisionit Europian në Bruksel, kondicionerët janë fikur në katet e poshtme të godinës, ndërsa në katet ku ndodhen zyrat e presidentes Ursula von der Leyen dhe komisionerëve, sistemi i ftohjes ka vijuar të funksionojë normalisht.
Sipas revistës italiane "L'Espresso", të premten, më 26 qershor, punonjësit e Komisionit Europian morën një njoftim urgjent ku informoheshin se, për shkak të temperaturave ekstreme, ajri i kondicionuar në katet nga i pari deri në të shtatin të ndërtesës Berlaymont do të ndërpritej për pjesën e mbetur të ditës.
Megjithatë, katet nga i teti e lart, ku ndodhen zyrat e komisionerëve europianë, mbetën të klimatizuara. Edhe zyra e presidentes Ursula von der Leyen, e vendosur në katin e 13-të, vazhdoi të kishte ajër të kondicionuar.
Situata ka shkaktuar reagime të forta mes punonjësve. Një prej tyre, duke folur në kushte anonimiteti për Politico, e quajti këtë vendim "feudalizëm", ndërsa një tjetër e cilësoi si "turp". Për më tepër, temperatura e regjistruar në katin e tetë, ku kondicionerët vazhdonin të funksiononin, ishte 25.7 gradë Celsius.
Pakënaqësitë nuk lidhen vetëm me godinën Berlaymont. Ditët e fundit, Komisioni Europian kishte shpërndarë edhe udhëzime për stafin, duke këshilluar shmangien e daljeve gjatë orëve më të nxehta, konsumimin e ujit dhe nisjen më herët të punës. Këto rekomandime kanë irrituar punonjësit e ndërtesave pa sistem ftohjeje, të cilët i konsiderojnë këshillat të pavlera pa mjetet e nevojshme për t'i zbatuar.
Belgjika ndodhet prej ditësh në alarm të kuq për shkak të vapës, me temperaturat që kanë arritur deri në 40 gradë Celsius në disa zona të vendit. Edhe Parlamenti Europian është përballur këtë javë me ndërprerje të energjisë elektrike, si pasojë e mbingarkesës së sistemeve të ftohjes.