Shpërthime pranë hotelit ku do qëndronte Macron në Damask

Shpërthime të fuqishme tronditën Damaskun këtë të martë, pak para takimit mes Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe homologut të tij sirian, Ahmad al-Sharaa, në një vizitë që cilësohet historike.
Sipas raportimeve, shpërthimet ndodhën pranë hotelit Four Seasons, ku pritet të akomodohet Macron. Presidenti francez sapo kishte mbërritur në Pallatin Presidencial për takimin me al-Sharaa kur ndodhi incidenti.
Autoritetet siriane nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar. Duke cituar një zyrtar të sigurisë, media shtetërore siriane raportoi se dy shpërthimet u shkaktuan nga pajisje shpërthyese të vendosura në qendër të kryeqytetit.
Nga vendngjarja u pa një re e madhe tymi, ndërsa pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale tregojnë një automjet të përfshirë nga flakët dhe njolla gjaku në rrugë.
Deri tani nuk ka një bilanc zyrtar të viktimave dhe asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Ky incident ndodh vetëm pak ditë pasi një tjetër pajisje shpërthyese shpërtheu në një kafene pranë Pallatit të Drejtësisë në Damask, duke lënë të paktën 10 të vdekur dhe 20 të plagosur.