Stil jete

Ekspertët: Po i rrisim fëmijët shumë “rehat” dhe kjo po u bën dëm

A është gabim që një prind të mos gatuajë një vakt tjetër vetëm sepse fëmija nuk e pëlqen ushqimin?

Dr. Edith Bracho-Sanchez, pediatre në Qendrën Mjekësore të Universitetit Columbia, thotë se shumë prindër sot përpiqen t’ua bëjnë jetën fëmijëve shumë të lehtë, duke i mbrojtur nga çdo mërzitje apo vështirësi e vogël.

Ajo këshillon që prindërit të mos përgatisin ushqim të veçantë për fëmijët që refuzojnë atë që është gatuar, të mos heqin dorë gjithmonë nga planet e tyre për shkak të fëmijëve dhe t’i lënë ata të mësojnë nga gabimet dhe pasojat e veprimeve të tyre.

Sipas saj, nëse prindërit përpiqen t’u zgjidhin fëmijëve çdo problem ose t’i mbrojnë nga çdo zhgënjim, ata nuk mësojnë si të përballojnë vështirësitë dhe si të gjejnë zgjidhje vetë.

Këto deklarata kanë shkaktuar debate në rrjetet sociale. Shumë prindër i kanë quajtur të ashpra, ndërsa shumë mësues dhe psikologë i kanë mbështetur.

Ekspertët shpjegojnë se prindërit shpesh veprojnë kështu sepse shqetësohen shumë për fëmijët e tyre. Megjithatë, kjo mund t’i bëjë fëmijët më pak të pavarur dhe më pak të aftë për të përballuar sfidat e jetës.

Sipas tyre, është normale që fëmijët të përjetojnë edhe zhgënjime apo vështirësi të vogla, sepse pikërisht kështu mësojnë të bëhen të fortë, të përgjegjshëm dhe të pavarur.