Aktualitet

Situata e zjarreve në Shqipëri! Ja cilat janë vatrat aktive dhe zonat më problematike

Situata e zjarreve në Shqipëri! Ja cilat janë vatrat aktive dhe

Po ashtu si në vendet e tjera të rajonit për shkak të të nxehtit afrikan ka pasur një numër të madh vatrash zjarri që kanë përfshirë territorin e Shqipërisë.

Në Gjirokastër ka pasur disa vatra zjarri që kanë shpëthyer pothuajse në të njëjtën kohë, luftimi i të cilave është vështirësuar për shkak të erërave.

Fshatrat e prekura nga zjarri kanë qenë Krin, Arshi Lengo dhe Arsim Zenel. Zjarri në Arshi Lengo u neutralizua mbrëmjen e djeshme, por vatra është rindezur sërish pak orë më parë. Këto fshatra janë evakuuar nga banorët mbrëmjen e djeshme, por për fat të keq një 64-vjeçar ka ndërruar jetë. Dy helikopterë kanë punuar përgjatë gjithë natës.

Në Vlorë, në Pashaliman zjarri është neutralizuar në masën më të madhe, por ende po punohet nga ajri për të fikur flakët. Vatra më e madhe është në Karaburun me përqëndrim në fshatin Delisuf, ku Forcat e Armatosura po luftojnë me flakët nga toka. Rreziku më i madh është prekja e Parkut Kombëtar të Llogarasë, ku sipas Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi po bëhet gjithçka që të shmanget përhapja e flakëve atje.

Në Vlorë janë në fluturim 3 helikopterë që asistojnë nga ajri fikjen e flakëve.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes këto janë vatrat e tjera aktive në territor:

Zjarri në qytetin Fushë - Arrëz, bashkia Fushë - Arrëz, vazhdon me intensitet të ulët. Është izoluar një pjesë e madhe e vatrës dhe po punohet për shuarjen përfundimtare.

Zjarri ka përparuar në një pjesë shkëmbore, pak e pyllëzuar në fshatin Lukan, njësia administrative Selishtë, në bashkinë Dibër. Vatra mbetet aktive, por pa probleme për përhapje të mëtejshme. Edhe aty janë angazhuar forca të pushtetit vendor, të cilat po mbajnë situatën nën kontroll.

Në fshatin Zogas, në Skrapar, zjarri mbetet aktiv, por pa rrezik për banesat.

Në Elbasan, në vendin e quajtur “Gropat e Borës”, midis fshatrave Cerujë dhe Gur i Zi, njësia administrative Labinot - Mal, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pylli me bimësi të ulët.

Tiranapost.al