Aktualitet

Dhimbja e fotografuar në Karaburun!

Dhimbja e fotografuar në Karaburun!Fotografi nga "pixelsbyab A.B"

Thatësirat dhe temperaturat rekord të këtyre ditëve kanë shkaktuar në Shqipëri, po ashtu si dhe në të gjithë fqinjët e tjerë mesdhetarë një situatë emergjence me vatra zjarri të shpërndara në zona të ndryshme.

Prej tre ditësh përpjekjeve të zjarrfikësve për të neutralizuar flakët i janë bashkuar edhe Forcat e Armatosura, megjithatë për fat të keq Andrea Haxhiaj, 64 vjeç ka humbur jetën në fshatin Asim Zeneli për shkak të flakëve, ndërkohë që bashkëshortja e tij 57 vjeç është dërguar për mjekim të specializuar në Tiranë. Gjendja e saj raportohet e rëndë.

Dita filloi mirë me fikjen e vatrës në fshatin Palokastër të Gjirokastrës, por dita e karakterizuar nga i nxehti afrikan ka krijuar vatra të reja në Karaburun dhe Dukat.

Për shkak të situatës dramatike të zjarreve në Gjirokastër, Konispol, Karaburun dhe rajone të tjera, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka urdhëruar evakuimin e fshatrave Lunxhëri-Antigonë, Asim Zenel dhe Krin, ndërkohë që vetëm pak minuta më parë është urdhëruar evakuimi i fshatit Arshi Lengo, për shkak të zjarrit që ka përfshirë “Kodrën e Pishave” në fshat që i është afruar banesave.

Një ushtar i Forcave të Armatosura, Edlir Goxhaj është asfiksuar gjatë luftës me flakët, por për fat të mirë ndryshe nga sa u raportua fillimisht gjendja e tij është e qëndrueshme dhe po merr trajtimin e specializuar mjekësor në spitalin e Gjirokastrës.

Përveç përpjekjeve heroike të FA, ajo që pritet është dhe një rënie e temperaturave apo shiu sporadik që pritet me mbërritjen e një vale të ftohtë veri-perëndimore ditën e enjte që do të zbusë të nxehtin përvëlues afrikan.

Tiranapost.al