Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimin e karburanteve, ulet nafta rritet benzina

Bordi i Transparencës ka rishikuar sërish çmimet e karburanteve, duke vendosur nivele të reja për shitjen me pakicë dhe shumicë.
Sipas njoftimit zyrtar, nafta e standardit SSH EN 590 do të tregtohet me jo më shumë se 190 lekë për litër në pakicë, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është përcaktuar në 178 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina e standardit SSH EN do të ketë një çmim maksimal prej 173 lekësh për litër në shitjen me pakicë dhe 161 lekë për litër në shumicë.
Vendimet hyjnë në fuqi sot, më 6 qershor, në orën 14:30 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës së Bordit, ku pritet të rishikohen sërish çmimet në varësi të lëvizjeve të tregut.
Njoftim për Shtyp
Bordi i Transparencës në datë 6 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 190 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 178 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 173 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 6 ora 14.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit. Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 95 lekë.