25 Rreshtat e Mirës

Princesha dhe një kurë për negativitetin

Princesha dhe një kurë për negativitetin

Kemi krijuar varësi nga negativiteti. Spekulimet në media për princeshën Kate e vulosën këtë fakt të kohës tonë.

Meqë kam një portal lajmesh, më kanë pyetur gjatë këtyre ditëve miq e të panjohur në chat e Instagram

për princeshën. Dhe ajo që vura re është që të gjithë thellë-thellë nuk donin të vërtetën, aq sa të konfirmonin se lajmet e këqija, skenarët okult, me vdekje e lidhje jashtëmartesore kishin ngjarë.

Të thuash që e lexova diku apo e pashë diku - nuk domethënë asgjë. Po asgjë! Dua shumë t’ia shpjegoj këtë mamit, të afërmve, ndjekësve dhe sidomos vetes. Unë që po shkruaj tani, nuk kam asnjë fuqi të mbinatyrshme, jam po aq e ndikueshme nga çdo gjë që fluturon online. Jemi të gjithë në të njëjtin tren.

Ne po jetojmë deformimin më të madh të komunikimit. Nëse është kjo Liria e Shprehjes atëherë më mirë pa të!

Tani që Kate Middleton e tha të vërtetën, e detyruar të dalë para gjithë botës të japë shpjegime për sëmundjen e saj me kancer, ka një ndjesi lehtësimi, irritimi me të keqen, por kur lexon pyetje: Pse nuk e tregon çfarë kanceri ka? E Bla, bla, bla … Të përzihet!

Faqet më të famshme e më të ndjekura janë ato më banalet në Shqipëri. Çfarë tregon për ne kjo?

Përgjigjen e di gjithsecili vetë. Nuk fajësohet pasoja,

dhe media e keqe kaq në modë nuk është një planet më vete. Edhe ato drejtohen nga njerëz si ne, jetojmë në një kohë. Me një ndryshim të vogël: disa janë përfitues të biznesit të urrejtjes.

Të tjerët janë klientë të urrejtjes. Pse kështu?

Sepse e keqja e ka hapur digën tashmë me ndihmën e medias, e liderëve të shushatur që ia ka lënë njerëzimin në dorë Mark Zuckerberg-ut dhe shokëve të tij të klasës. E një tregu që varet nga klikimet! Dhe pushteteve i intereson një shoqëri e zhytur në thashetheme, injorancë, konspiracion, skandale. Një shoqëri e informuar keq kontrollohet më mirë!

Madje ky fenomen po shkon përtej klikimeve, përtej biznesit. Ne po ndryshojmë si qenie njerëzore, si qenie sociale. Ne po transformohemi në individë që i orienton e mban gjallë e keqja. Dhe nga kjo askush nuk del i fituar, maksimumi i infektuar.

Shërim të shpejtë princeshës!

Të shpresojmë që do të gjendet kura edhe për sëmundjen e Negativitetit!