25 Rreshtat e Mirës

U bë edhe "Oscar" si "Përputhen" 

U bë edhe "Oscar" si "Përputhen"

Nga Mira Kazhani/ Është e pamundur sot që diçka t'i tërheqë vëmendjen botës aq shumë sa shuplaka e djeshme e ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Oscar.

Një shuplakë mes dy burrash Hollivudi, një aktori dhe një komediani, që të dy me ngjyrë, siç duan ta evidentojnë shumë komentuesit amerikanë, si për të dëshmuar që vala kundër të bardhëve duhet të qetësohet pak. Njerëzit veprojnë në situata të ndryshme edhe thjesht në bazë të impulseve, pavarësisht se çfarë ngjyre, feje, statusi social është njeriu përballë.

Amerika vitet e fundit ka një debat të nxehtë mbi racizmin. Latinët, afrikano-amerikanët dhe aziatikët, shpesh viktima të sulmeve edhe fizike, kanë ngritur zërin. Lëvizja "Me too" ka prodhuar jo pak skandale. Karriera të mbyllura, gjyqe dhe skrutinizim në rrjet.

Nga ana tjetër, jo rrallë një opinion, koment, deklaratë, mund të kalojë shpejt në sitën e opinionit publik dhe nëse shumica e quan fyerje, nuk ke shpëtim. Një shaka apo ironi e pamenduar, veç gijotinës online, mund të të kushtojë edhe vendin e punës. Me pak fjalë, sot nuk bëhet shaka me shumë tema, sepse ndjeshmëria e shoqërisë ka arritur klimaksin.

Një lëvizje që synon barazi dhe të drejta për të gjithë, pa dashje po jep edhe efekte ndrydhëse në drejtim të çiltërsisë, spontanitetit apo edhe ndjenjave njerëzore, qofshin ato gabime. Një shoqëri që po distilohet me qëllim pastrimin e së keqes, po e bën këtë kundër një pale tjetër. Është gjithmonë një palë e akuzuar dhe një e viktimizuar. Siç ka qenë gjithherë e do të jetë. Shoqëria s'mund të ketë vetëm fitues. Por, shqetësimi që prodhoi "Oscars" ishte fakti që nuk ka më të mbrojtur apo imunë nga agresiviteti. Shoqëria është në depresion, si lart dhe poshtë. Si me ngjyrë dhe si e bardhë. Si në luftë dhe si në paqe. Tani edhe si në Hollivud. Tek një kategori që vishet bukur dhe shkon të ngrejë kupën, në fakt ngre dorën, dhe i jep një shpullë gjithë botës së civilizuar. Të gjitha fjalimeve të bukura.

Fatkeqësisht ceremonia e "Oscars", që prisnim të shihnim, si një moment frymëzimi dhe klasi, cilësie dhe bon-toni, ra në nivelin e një emisioni banal. Nuk ka pikë rëndësie cili nga dy personazhet pati më shumë faj. Disa do të jenë me prezantuesin komedian e disa të tjerë me aktorin e xhindosur për humorin e pavend për pamjen e gruas së tij. Fakti që në ceremoninë më glamour të botës kërcet shpulla dhe të sharat me libër shtëpie, është zhgënjyese. E shëmtuar!

Mesa duket jemi të dënuar të heqim dorë nga bota e vjetër, ajo ku jetuam me ëndrra, idhuj, modele, shembuj, dhe si normalë. Dhe të pranojmë se shoqëria është futur në një depresion dhe me ndihmën e medias sociale e sidomos të mbërritjes së komentuesit virtual jemi duke u çmendur të gjithë nga pak, sipas karakterit dhe mundësive bankare.
Ja tek e pamë edhe "Oscars" siç nuk do ta kishim imagjinuar kurrë në kohërat kur ishim njerëz të lumtur dhe normalë dhe kemi 24 orë që kërkojmë fajtorin. Hë pra, Will Smith apo Chris Rock?!


*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected].