The Guardian i bën jehonë deklaratës së Dua Lipës për Revolucionin e Flamingove në Shqipëri

“Revolucioni i flamingove” në Shqipëri ka fituar mbështetësen e tij më të njohur deri më tani: yllin e muzikës pop, Dua Lipa. Këngëtarja me origjinë shqiptare nga Kosova ka shprehur admirimin e saj për lëvizjen e protestës kundër një projekti resorti të mbështetur nga familja Trump në vendin ballkanik", shkruan The Guardian.
Ndërsa protestat kundër projektit imobiliar me vlerë 1.6 miliardë euro kanë hyrë në javën e gjashtë, këngëtarja shqiptare e rritur pjesërisht në Prishtinë, i ka cilësuar protestat si “frymëzuese”.
Gjatë një bisede me akademiken dhe shkrimtaren shqiptare Lea Ypi në podcastin e saj Service95 Book Club, Dua Lipa u shpreh:
“E gjej shumë frymëzuese të shohësh se sa shumë njerëzit kujdesen vërtet.”
"Deklarata e saj i ka dhënë një jehonë të re lëvizjes së protestës, e cila prej javësh kundërshton projektin turistik dhe imobiliar në Shqipëri, duke e kthyer çështjen në një nga temat më të diskutuara në vend dhe jashtë tij", shkruan The Guardian duke i dhënë jehonë deklaratës së Duas.