Rajoni

Kosova shpall non-grata ministren serbe, Snezhana Paunoviç

Kosova e ka shpallur person non grata ministren serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe tranzitin në territorin e saj. Vendimi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, pas deklaratave të ministres serbe, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".

Sveçla njoftoi se e ka firmosur vendimin, duke theksuar se deklaratat e Paunoviç rikonfirmojnë, sipas tij, se Serbia nuk ka hequr dorë nga politika e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Ai shtoi se çdo tentativë për të ringjallur ideologji të tilla apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të marrë përgjigje të vendosur ligjore dhe institucionale.

Deklarata e ministres serbe u bë gjatë një interviste në televizionin Kurir, ku u shpreh se nuk do t'i kishte vrarë shqiptarët, por do t'i kishte detyruar të largoheshin nga Kosova nëse nuk e konsideronin veten qytetarë të Republikës Federale të Jugosllavisë. Më vonë, Paunoviç tha se nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj dhe theksoi se mbetet besnike ndaj politikave të Partisë Socialiste të Serbisë, pjesë e së cilës është prej vitit 1992.

Deklaratat e saj shkaktuan reagime të forta edhe në Bashkimin Evropian. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, deklaroi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik, pasi bie ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Edhe komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, u shpreh e tronditur nga deklaratat e ministres serbe, duke theksuar se për retorikë të tillë duhet të ketë "tolerancë zero". Ajo shtoi se shpreson që bëhet fjalë për një qëndrim individual dhe jo për politikën zyrtare të Qeverisë së Serbisë.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, e cilësoi deklaratën si glorifikim të krimeve të luftës dhe një kërcënim për stabilitetin rajonal, duke theksuar se heshtja përballë një retorike të tillë nuk është zgjidhje.

Analistët vlerësojnë se deklaratat e Paunoviç tregojnë se një pjesë e politikës serbe ende nuk është përballur me të kaluarën. Sipas tyre, nëse ministrja nuk largohet nga detyra, kjo do të interpretohet si mungesë vullneti nga Beogradi për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Lufta në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 la pas mbi 13 mijë viktima civile, kryesisht shqiptarë, ndërsa më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Gjykata e Hagës ka konstatuar se drejtuesit e atëhershëm të Jugosllavisë ishin pjesë e një ndërmarrjeje kriminale që synonte dëbimin me forcë të shqiptarëve nga Kosova dhe ndryshimin e përbërjes etnike të saj.