SPORT

Kush e fiton Botërorin? Superkompjuteri favorizon Spanjën, ndërsa rrjeti flet për “udhëtarin në kohë”

Finalja e Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës ka ndezur jo vetëm pasionin e tifozëve, por edhe debatet rreth parashikimeve se kush do ta ngrejë trofeun.

Sipas superkompjuterit të Opta, Spanja hyn në finale si favorite. Pas mijëra simulimeve statistikore, modeli i jep kombëtares spanjolle rreth 56% shanse për të fituar titullin botëror, ndërsa Argjentina vlerësohet me 44% mundësi. Parashikimi bazohet në analizën e formës së skuadrave, ecurisë në turne dhe mijëra simulimeve të ndeshjes.

Në të njëjtën kohë, në rrjetet sociale është rikthyer në qendër të vëmendjes një postim i vitit 2021, ku një përdorues kishte parashikuar se Argjentina dhe Spanja do të përballeshin në finalen e Botërorit 2026, madje duke përmendur edhe rezultatin 3-2 për argjentinasit. Për këtë arsye, shumë përdorues e kanë quajtur me humor autorin “udhëtar në kohë”, megjithëse bëhet fjalë vetëm për një postim viral dhe jo për një fakt të provuar.

Tashmë mbetet vetëm fusha e lojës për të treguar nëse do të realizohet parashikimi i superkompjuterit apo “profecia” virale që po bën xhiron e internetit.