Bëje me Arkitekt

Tullat me vrima që më kujtojnë fëmijërinë

Prej shumë pak muajsh, kam ndërruar lagje. Jetoj në nje nga lagjet e vjetra në Tirane. Ndërkohë, për më shumë se 15 vite kam jetuar në një lagje të popullar rishtazi, ku kompleksi 15 katesh, rrethohej nga ndërtesa tipike të periudhës komuniste, ato pallatet 5 katëshë, me tulla të kuqe.

Lagjia e tanishme, për çudinë time, më jep një ndjesi të mirë e më ka bërë të mendoj se përse më jep këtë ndjesi të paqtë.

Ndërtesat janë pothuajse të gjitha të vjetra, si pallatet, apo edhe ato pak vila njëfamiljare me oborr, e tek-tek, ndonjë “bishë” 10 katëshe, si kunjë. Është një kënaqesi të ecësh trotuareve në mbrëmjë, sidomos tani që është pranverë, e ndihen në ajër aromat e jaseminave nëpër gardhe, të luleve të limonit. Por edhe në mëngjes, kur dalim për të cuar fëmijët në shkollë, dëgjohen zogjtë, ndonjë zhurmë makine, e duhet të flasim me zë të ulët, ndërkohë që nxitojmë, pasi është shumë qetësi, e zërat kumbojnë.

Kjo lagje më kujton fëmijërinë, pallatin e vjetër, me ballkonet e bukur me format e gatshme të terrakotës, (tulla me vrima - quheshin ateherë rëndom) të cilat zbukuronin parapetet.

Kemi jetuar për shumë vite në xhungla urbane, me pallate të mbipopulluar, me dhjetëra kate e kemi harruar se si është ndjesia kur planifikimi urban e arkitektura, janë bërë “a misura d’uomo”. Në lagje si këto niveli i popullimit, banorë për metër katror, është ende i ulët, nuk ka shumë trafik, ndaj gjen pothuajse gjithmonë parkim poshtë pallatit.

E arsyeja e frymëzimit të sotëm, janë pikërisht ato që kanë bërë të mundur që kjo lagje të jetë kaq idilike, siç unë e shoh: janë pallatet 5-katëshë, të cilëvë u shkon një falenderim i madh, që e kanë ndalur makutërinë e ndërtuesve.

Paksa ironike që pikërisht 5-katëshet e vjetra, shërbejnë sot si rregullatorë urban.

Ato qëndrojnë inferiore pranë cibanëve "modernë" shumëkatësh, duke bërë, pa dashur, një rezistencë të heshtur mbipopullimit.

Këto ndërtesa të socializmit në degradim të vazhdueshëm, me arkitekturën modeste, me suva të rëna, të pa lyera, me gjithfarë sajesash e shtesash në fasada, ballkone, tarraca..., kanë në fakt një element arkitektonik (ndoshta i vetmi) që meriton vëmendje:

Detaji që më ka tërhequr janë pikërisht ato “perdet” e terrakotës, që veshin sheshpushimet midis kateve ose parapetet e ballkoneve. E kam fjalën për këto elementë, si në foto.

Në mbrëmje, kur dritat e korridoreve të brendshme të pallateve janë të ndezura, këto “perde” duken si dantella, si të bëra me grep, si ato perdet e bukura të kortinkave që bënte gjyshja, me gishtat e shtrembëruar nga reumatizma, por që kur i vendoste në dritare, ishin si bizhuteri të vogla. A e mbani mend se si dukeshin ditën, kur drita e diellit filtronte përmes tyre? Apo edhe natën, kur i shihnit dritaret nga jashtë? I njëjti impakt është edhe me këto forma të terrakotës, që është një material, kaq i dashur kaq i bukur, kaq i përshtatshëm për klimën e për pozicionin tonë gjeografik. Loja e hijedritës, që filtron përmes tyre është fantastike. Fotot më poshtë ilustrojnë për çfarë jam duke folur me kaq dashuri.

Fakti është se unë vërtet e dashuroj këtë material, (në të gjitha format e pllakave apo tullave). E dashuroj për shijen e mirë e të ngrohtë që ka, për koston shumë të përmbajtura që ka, e për mundësitë e pafundme që të jep, pasi është kaq e modelueshme, sa praktikisht mund të përdoret gjithandej, në dysheme, në mure, në veshje fasadash, në interier, në eksterierë objekte shtëpiake, gjithandej!!!

Më vjen vërtet shumë keq, kur shoh se sa e përçmuar është këtu tek ne, sa e papërfillur dhe e harruar! E të mendosh qe ka vepra arkitektonike madhështore, të ndërtuara me të në bazë, në strukturë e në finiturë. Si p.sh National Museum of Roman Art, i Rafael Moneo.

Apo The Musee Yves Saint Laurent, Marrakesh.

E mbani mend , një pjesë nga filmi “Proposta indecente” (se brezi im, e ka parë italisht këtë film, për vite me radhë), ku Woody Harrelson, që është një profesor arkitekture, flet për strukturat e për tullat, (ndërkohë qe mban një tullë në dorë).

Louis Kahn says: Even a brick wants to be something. A brick wants to be something. A brick , a common, ordinary brick, wants to be something more than it is. It wants to be something better than it is.

https://www.youtube.com/watch?v=13g9tr4JBEs