Videopodcast

Inva Mula thyen heshtjen: Edhe 99 vjeç, në TKOB nuk do të shkoj si spektatore

Inva Mula thyen heshtjen: Edhe 99 vjeç, në TKOB nuk do të shkoj

Inva Mula dhe debati për FTESËN e famshme u rindez dje në rrjet, pas një deklarate nga drejtuesit e TKOB në lidhje me mungesën e sopranos në mbrëmjen gala, që përkonte me 65-vjetorin e TKOB, por edhe rinovimit tërësor të saj. Publikimi i dy e-maileve të vitit 2019 dhe 2020 si dhe një tekst në WhatsApp i dërguar (14 korrik 2021) nga drejtoresha Zana Çela, qenë një përpjekje për të frenuar revanshin në rrjet në mbështetje të Inva Mulës, por kjo nuk ndodhi. Rrjeti vazhdoi me kritika se e-mailet nuk janë mënyra e duhur dhe se Inva Mula nuk mund të ishte një spektatore e thjeshtë, por ajo meritonte një vend në atë mbrëmje gala, ku publiku pa më shumë pushtetarë sesa artistë.

Që në këtë histori ka një zemërim, është mëse e qartë dhe siç ndodh sot me internetin, e vërteta vishet e zhvishet sipas humoreve dhe emocioneve, duke e bërë mision të pamundur dallimin mes zemëruesit dhe të zemëruarit, që në fakt nuk ka rëndësi sa figura që bëjmë duke përmbysur modelet e shoqërisë.

Një gjë është e kristaltë si bora e bardhë: Personalitete si Inva Mula nuk i kthejmë dot në spektatorë, nuk i marrim për të mirëqenë, nuk i lëmë të zënë pluhur. Disa njerëz që bënë histori jashtë vendit meritojnë përuljen tonë, sido që të jetë.

Inva Mula iu përgjigj pozitivisht ftesës së gazetares Mira Kazhani për të ndarë me publikun versionin e saj. Sopranoja ka bërë një rrëfim pa doreza dhe në fund kupton se nuk ka fare rëndësi kush është zemëruesi. Ftesa, mungesa, Inva, që të trija meritojnë një reflektim dhe janë shkak për të na bërë të mendojmë se ku po shkojmë. Nëse ndaleni të ndiqni intervistën e plotë, do ndaleni edhe vetë në një çast reflektiv: Përjashtimi, inati ballkanik, konflikti në ditë të madhe nuk na çojnë askund dhe në fund humbasim të gjithë. Intervista nuk synon asnjë “skup”, por duke qenë një kuriozitet njerëzor, ka brenda rrëfime dhe deklarata të forta.

Intervista:

Mira Kazhani: Inva faleminderit që pranuat ftesën time dhe që do ta ndajmë një rrëfim të një momenti jo pak të rëndësishëm për Tiranapost. Në fakt jetojmë në disa kohë të vështira sepse media, media sociale është bërë e tillë që e vërteta sfilitet nga një lajm në një kundërlajm, një koment, një keqkuptim, një keqinterpretim. Jo në të gjitha rastet duhet të sqarojmë opinionin, sidomos figurat publike, por ka disa raste siç ishte ai i mbrëmjes gala në TKOB ku mungesa e një figure si ju ra shumë në sy dhe njerëzit pyetën: Ku ishte Inva Mula dhe pse nuk ishte Inva Mula? Pse munguat në TKOB në mbrëmjen gala?

Inva Mula: Faleminderit Mira që jemi këtu. Do doja që ky rrëfim të ishte më shumë një analizë rreth çfarë bëhet me artistët, me artin shqiptar. Përse jemi gjithmonë ne artistët me dëshirën për të bërë diçka dhe ndoshta me disa dyer që nuk dëgjohen, me disa zëra që nuk dëgjohen, me disa dyer që nuk hapen për gjithë artistët shqiptarë. Do të thoja, që më shumë do doja që ky rrëfim të merrte këtë rrjedhë, por meqë pyetja ishte e drejpërdrejtë, përse nuk mora pjesë, ishte për arsye se artistët mbi të gjitha kanë një sensibilitet, i cili kalon edhe kufijtë e kurajës për të marrë pjesë nëse edhe ftesa nuk ishte bërë ashtu siç duhet. Për gjëra të rëndësishme nuk duhet të heshtim asnjëherë. Unë në përgjithësi, komentet që bëhen në rrjetet sociale i anashkaloj, janë shumë gjëra që ose nxirren nga konteksti, ose nuk janë të vërteta, jam mësuar t`i anashkaloj me heshtje se them, heshtja është përgjigjja më e mirë. Por jeta na ka mësuar, dhe mua personalisht, që për gjëra të rëndësishme, nuk duhet të heshtim. Se po heshtëm për gjëra të rëndësishme ato bëhen ndoshta mënyrë veprimi i disa njerëzve që do shkelin mbi dinjitetin dhe mbi të vërtetat. Nuk mora pjesë pasi unë u ftova që nga viti 2019, në mënyrë do të thosha permanente. Kanë qenë ftesa për të marrë pjesë në këtë gala që do të bëhej në vitin `19, pastaj në vitin `20, pastaj kam pasur disa ftesa nga drejtoria e TKOB.

Mira Kazhani: Si kanë qenë këto ftesa? Më lejo të të jap një sqarim, nuk e di nëse e ke parë një reagim të drejtuesve të TKOB, janë shpërndarë, janë publikuar edhe dy ose tre email-e, por dy email-e i kam këtu dhe u di dhe datat dhe një mesazh që ka ardhur nga drejtoresha e TKOB, në chat-in e Whatsapp-it tuaj. Po ta fillojmë nga email-i i parë që është në 18 tetor 2020, tjetri është në…

Inva Mula: Ka dhe në 2019-ën.

Mira Kazhani: Është në 2019-ën email-i tjetër, se nuk po shoh dot datën, por e di që është në 2019-ën dhe është edhe një mesazh në 14 korrik. Duhet të jetë i këtij viti, pra në verë, ku drejtoresha e TKOB ka thënë: (Mira i lexon Invës mesazhin e Zana Çelës)

I keni kthyer përgjigje këtij mesazhi?

Inva Mula: Nuk i kam kthyer përgjigje se këto kanë qenë datat e festivalit MIK në Korçë edhe unë kam qenë vërtet në kulmin e organizimit të festivalit, edhe galaja nuk u bë. Domethënë të gjitha këto ftesa kanë qenë për gala të cilat ranë, asnjëra nga këto gala nuk u bë dhe për datën 15 shtator të cilën të gjithë tashmë e dinë që u bë një gala e vërteta ë, e vërteta e kësaj ngjarje, për këtë datë Inva nuk ka ftesë. Më vjen keq që kanë dalë, se po bëhet si gjyq. Kuptuat apo nuk kuptuat? Jam ftuar në publik po. Më ka ardhur ftesë nga sekretarja e drejtorisë, për të qenë në publik.

Mira Kazhani: Si spektatore?

Inva Mula: Si spektatore, dhe nga Ministria e Kulturës si spektatore, por nuk e kam pranuar. Nuk mund të jem spektatore. Inva nuk mund të jetë spektatore. Unë mund të isha edhe 99 vjeç, prapë nuk do isha spektatore në një ngjarje të tillë. Se nuk ishte vetëm hapja e rinovimit të teatrit, por përkonte me një përvjetor të teatrit. Ky teatër ka një histori. Ky teatër ka një memorie e cila rëndon mbi supet e shumë artistëve. Po një peshë, një gur i rëndësishëm në këtë memorie është familja Mula aty brenda. Nuk bëhet fjalë për Invën. Bëhet fjalë për Nina dhe Avni Mulën. Nuk e di, por paskam bërë shumë mirë që s`kam qenë dhe si spektatore, pasi aty nuk është folur për prindërit e mi. Atje nuk ka dalë një imazh i premierës të Invës 22-vjeçare me Traviatën, që kam thyer të gjitha rekordet. Deri atëherë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Domethënë, nëqoftëse historia në Shqipëri do shkruhet nga njerëz të cilët ose nuk e njohin, ose janë dashakeqës. Historia është diçka që flet vetë për arsye se ka njerëz të gjallë që jetojnë dhe i mbajnë mbi supe këto memorie, prandaj nuk do doja Mira që ne ta kthenim këtë bisedë kaq të këndshme, se të kam edhe shumë simpati, të lexoj gjithnjë, në një gjyq, por meqënëse unë kam një detyrim përpara publikut, mund të kem mbi 200 mesazhe që më kanë prekur vërtet thashë: ‘Ou si ka mundësi’, të njerëzve që i njoh ose jo, por që më shkruajnë me një dëshpërim, me një dëshpërim që uau. Thashë si ka mundësi që njerëzit e paskan ndjerë kaq shumë. Si ka mundësi që aty shkruhet që duhet t`i kërkojmë falje publike Invës. Faleminderi kush e ka thënë një gjë të tillë! Faleminderit! Absolutisht nuk keni nevojë. Ja me mesazhet e këtij publiku është shlyer gjithçka. Unë nuk kam zemërim. Nuk kam zemërim për atë që bënë. Nuk kam zemërim, por kam një detyrim për të thënë të vërtetën, meqë tani u hapën gjërat dhe po tregohen dhe mesazhe, nëse e gjeni datën 15 që Inva është ftuar për të qenë në skenë, ma jepni dhe tani janë të qarta gjërat që mund të jenë shumë transparente.

Mira Kazhani: Në gjithë këtë histori, çfarë ju ka zemëruar ose lënduar më shumë? Fakti që u ftuat si spektatore, si të ishit për shembull, një ministre apo një personazh i zakonshëm që nuk ka një lidhje aq ombelikale dhe historike siç keni ju me TKOB apo diçka më shumë edhe harresa e prindërve tuaj në dokumentarin e realizuar? Cila është një gjë që s`do ta falje?

Inva Mula: Atë mospjesëmarrjen time si protagoniste në skenë do t`ua fal të gjithëve. S`ka gjë se unë kam akoma vite për ta rikuperuar, por që mos të flitet për Nina dhe Avni Mulën, këtë nuk e fal dot. Nuk e fal dot. Nuk është çështje falje, por e them me plot gojën që kjo më ka trishtuar shumë.

Mira Kazhani: Pse mund të ketë ndodhur kjo? Ke një ide?

Inva Mula: Jo absolutisht. Unë shpresoj që ka qenë një harresë, edhe të mos ketë qenë një hakmarrje ndaj një zemërimi që mund të ketë dikush prej meje dhe e ka shfryrë këtu. Se shumë e dobët, shumë e keqe, shumë e vogël do të thosha, përpara kontributit të prindërve të mi për këtë teatër.

Mira Kazhani: Ka ndonjë arsye që dikush të zemërohet kaq me Inva Mulën?

Inva Mula: Nuk aludoj. Nuk dua të aludoj. Dhe nuk dua të flasim ne për faktin. Dua të flasim për fenomenin. Nuk bëhet fjalë vetëm për Invën. Bëhet fjalë për shumë artistë. Unë do doja që në atë skenë të parakalonte Edit Mihali, të parakalonte Zana Turku, Marjana Leka, Lili Cingu. Janë artiste.

Mira Kazhani: Ke folur me këto artiste?

Inva Mula: Jo nuk kam folur. Por po ta drejtoja unë teatrin, aty do ta nisja. Ajo mbrëmje duhej të niste nga memoria, nga kontributi për arsye se publiku, rinia e sotme, nuk e di kontributin e këtyre njerëzve. Dhe unë doja t`u tregoja që ky teatër që është sot, vjen se dikush e ka mbajtur, dhe në vite shumë të vështira. Dhe këtu duhej të fillonte historia e teatrit. Duke u kthyer në retrospektivën e njerëzve të cilët dhanë jo kontribut, por dhanë jetën. Se artisti nuk punon, artisti jep jetën për artin.

Mira Kazhani: Shumë e bukur kjo. Por ju shoh që doni ta fokusojmë tek fenomeni dhe do rrimë tek fenomeni se ajo na intereson shumë. Pjesë e një fenomeni të përjashtimit dhe të eliminimit është edhe kjo. Ne besojmë që këto gjëra ndodhin vetëm në politikë. Me politikën gjithmonë kemi pasur probleme, jetë e mot. Që nga monarkia, që nga diktatura, në pluralizëm. Kohë pas kohe shohim çudira. Si është bota e artit? Edhe ajo është me kaq shumë intriga? Me kaq shumë përjashtime dhe eliminime? (Nuk e dinim). Tani po shfaqet diçka në horizont që s`ishim të vetëdijshëm.

Inva Mula: Është nornale. Është vetë në natyrën njerëzore xhelozia. Ne e dimë edhe nga historia që artistët xhelozohen shumë për njëri-tjetrin, por jo të xhelozohen joartistët, për artistët.

Mira Kazhani: Kur thoni ‘joartistët për artistët’ për kë e keni fjalën? Keni një emër në mendje?

Inva Mula: Emër në mendje? Kam emër në mendje. Po nuk merrem. Merrem me fenomenin, nuk merrem me faktin.

Mira Kazhani: Për shembull pak ditë më parë kam përkthyer në Tiranapost.al një intervistë të mrekullueshme të Riccardo Muti, dirigjenti që me siguri duhet ta keni takuar.

Inva Mula: Jo e kam takuar, por kam punuar.

Mira Kazhani: Ai shpjegonte një moment me Pavarotti-n që kishin pasur gjatë jetës, është 81 vjeç tani, ‘mosdakordësi muzikore’, thoshte ai. Por në një moment, në një koncert shumë personal të tij për të sëmurët me HIV/AIDS, ai thoshte që Pavarotti udhëtoi nga Amerika, preu biletën, nuk na kërkoi asnjë kacidhe, e bëri gjithçka gratis dhe e vlerësova shumë për këtë gjest.

Inva Mula: Meqënëse më kujtove diçka, për shembull historia e Tre Tenorëve si ka lindur. Tre Tenorët kanë qenë Pavarotti, Domingo dhe Carreras, që ishin në kulmin e suksesit dhe një producent italian i cili pati idenë që t`i mbledhë këta tre yje për një koncert, ishte e pamundur se këta kishin “fan club-in” e vetë dhe nuk mund të mblidheshin se ishin të tre gjela. Imagjinoni, këta dolën, mund të kishte pasur edhe hatërmbetje midis tyre, por dolën jashtë këtij koncepti të vogël të një do të thosha xhelozie njerëzore.

Mira Kazhani: Kapërcyen veten ndoshta

Inva Mula: Dhe shkuan përtej dhe krijuan Tre Tenorët që sot është një nga spektaklet më të bukura dhe shembulli më i bukur sesi këta tre yjet, ndoshta me konflikte artistike me njëri-tjetrin, u kthyen dhe u bënë simbol i këngëtarëve më të mëdhej dhe koncerteve më të bukura. Jo vetëm aq, por në momentin që njëri nga Tre Tenorët, Carreras u sëmur dhe pati vërtet gati në ditët e fundit të jetës, këta u mblodhën për fonde, për t`i krijuar Carreras-it mundësinë që të bënte transplante. Zoti e deshi që ai të jetonte dhe ata u rikthyen sërish me Tre Tenorët. Këto janë shembuj. Këto janë shembuj të bukur.

Mira Kazhani: Fole me Placido Domingon kur ishte në Tiranë javën që shkoi?

Inva Mula: Jo nuk fola me Placidon. Ato kanë insistuar të komunikojnë edhe Placido edhe Marta për arsye se janë bashkëpunëtorë.

Mira Kazhani: Edhe ata nuk ju gjetën atë ditë?

Inva Mula: Ato i kanë thënë që Inva nuk është. Me anë të agjentit të Placidos më ka kontaktuar, më ka shkruar, ka insistuar dhe u bë kurioz: Pse Inva nuk është?

Mira Kazhani: Çfarë i the?

Inva Mula: Më tha ti duhej të ishe në skenë me Domingon për arsyen se ti je e parë që ke fituar konkursin e Domingos. Dhe do ishte histori për Teatrin e Operës dhe Baletit. Ishte me lot në sy kur ma tha një gjë të tillë. Dhe i thashë: Më fal, nuk dua ta mbaj mbi supe që unë nuk doja. Erdhi Placido në vendlindjen time dhe në teatrin që është 250 metra nga shtëpia ime dhe unë këtë nuk mund ta pranoj, që Placido të ikë me mendimin që Inva nuk e begenisi dhe nuk erdhi. Dhe kur ia thashë të vërtetën, unë e mora vesh nga konferenca e shtypit që vjen Placido dhe madje më mori një gazetare, shoqja jonë, shumë e mirë, dhe më thotë: Inva jam në konferencë shtypi, vjen Placido në datë 15, je e ftuar? Dhe unë i them, jo. Dhe këtë ia thashë Alessandro-s mikut tonë të përbashkët me Placidon, se Placido kishte ikur dhe më thotë: “Mamma mia!” Kështu kemi ngelur.

Mira Kazhani: Po me Ermonela Jahon keni një raport?

Inva Mula: Ermonelën unë e çmoj shumë. Ermonela sigurisht më shumë se një dekadë, e çmoj shumë si artiste, e njoh sensibilitetin e Ermonelës. Sigurisht nuk e kontaktova dhe atë, sepse momenti kur ti e shikon që nuk je në lojë, del më vete dhe merresh komplet me diçka që nuk ka lidhje dhe nuk do as të komunikosh, as të hapësh televizorin ose të shikosh mediat se çfarë është bërë. Nuk e kam idenë se çfarë është bërë. Më shumë unë këtë tregim e njoh nga tregimet e të tjerëve.

Mira Kazhani: Jo, doja të kuptoja çfarë raportesh keni ju Inva me artistë jo të gjeneratës tuaj, por ndoshta të profilit tuaj? Shkoni mirë, jeni miq? Ju ishit e para. U keni dhënë dorën. I keni mbështetur?

Inva Mula: Absolutisht. Unë me Ermonelën njihem prej vitit 2005. Kemi qenë në dyja, bënim të njëjtin rol. Ermonela ishte shumë e re atëherë dhe nuk e kishte filluar karrierën që ka sot, edhe aty e kam njohur. Kam njohur artisten e madhe, kam njohur një shpirt, një shpirt të butë, të mirë, sensibël dhe e kam ruajtur këtë simpati dhe nuk më ka ndërruar. Me Saimirin kam simpati që nga opera e Vienës. Ai ishte akoma i ri edhe i pashë arritjet dhe u mrekullova. Kurse me Gëzim Myshketën isha në Operën e Parmës dhe Gëzimin e njoha sepse ishte kamerier në barin afër operës ndërkohë që ishte një student i shkëlqyer dhe ka arritjet e sotme. Domethënë unë gëzoj. Gëzoj edhe them si ka mundësi që kjo Shqipëri kaq e vogël vetëm prodhon, prodhon artistë. Kemi qenë bashkë tek “Virtuozët” që vetëm promovonim artistë të rinj. Tani çështja, dhe të dalim në atë kryefjalën që filluam “Ku jemi me artin sot në Shqipëri?” Ku jemi?

Mira Kazhani: Ndërkohë që ju dëgjoja Inva po kuptoja atë që më mungonte në atë mbrëmje dhe nuk shkonte në fakt. Shumë mirë që kishte figura nga politika, njerëz të zakonshëm, s`ka asgjë të keqe, por kur ju përmendët Edit Mihalin, Lili Cingun shumë figura që kanë munguar atë mbrëmje, po mendoja si do të kishte qenë ajo me të gjithë ju, bashkë në skenë, sikur 5 minuta?

Inva Mula: Absolutisht do të ishte një finale.

Mira Kazhani: Edhe një homazh për ata që s`janë më, sepse ajo është shtëpia e artit dhe arti në fakt është shpirti i një kombi.

Inva Mula: Absolutisht dhe tani që më vijnë emra të tjerë, Xhovana Doko për shembull një nga më të mrekullueshmet që ne kemi pasur. Këto janë për brezat. Këto janë figura të cilat janë, do të thosha, aty brenda, por ne nuk kemi të drejtë t`i harrojmë. Ne nuk kemi të drejtë që të ftojmë çdo njeri në sallë ose në skenë pa këta njerëz. Domethënë problemi në Shqipëri është gjithmonë se ne nuk kemi memorie. Memoria jonë është shumë e shkurtër. Për çdo gjë. E keni vënë re. Memorie e shkurtër e cila ka skup. Tre ditë, mbaron edhe harrohet çfarë bëhet. Ne nuk nxjerrim mësime.

Mira Kazhani: Më shumë kjo. Ne nuk nxjerrim mësime.

Inva Mula: Ne nuk nxjerrim mësime.

Mira Kazhani: Nuk e praktikojmë kujtesën kolektive.

Inva Mula: Absolutisht dhe nëse do mendonim që një mbrëmje, se të thashë, nuk është çështja që u rihap teatri, sot të rihapet një teatër në një kohë pandemie, është një sukses botëror. Kështu që kjo është e jashtëzakonshme. Por aty ishte një homazh i 65 vjet teatër. Po kush e ka bërë këtë teatër për 65 vjet? Të gjithë kanë nga një tullë të vogël. Disa kanë disa tulla. Dikush ka një tullë shumë më të vogël, por të gjithë janë pjesë dhe duhet të mendojmë edhe diçka. Shumë artistë që kanë dhënë kontribut në TKOB, kanë ikur nga kjo botë të varfër, të varfër dhe kanë vdekur ndoshta edhe sepse nuk kanë pasur mundësi të kurohen ashtu siç duhet. A duhej një homazh për këta njerëz?

Mira Kazhani: Ndoshta ky rasti juaj mund të shërbejë për ta zhveshur nga ajo membranë, për të hapur një debat për gjithë këtë çfarë ka ndodhur. Ndonjëherë duhet të kesh një shkak edhe mund të flitet edhe për fenomenin. A do të ishit e gatshme që të ishit pak më aktive në këtë lloj debati?

Inva Mula: Po sigursht Mira.

Mira Kazhani: Për ta ndihmuar…

Inva Mula: Ka qenë një moment ndoshta vitin e kaluar ku flitej që teatri dhe mund të bëhej gjysmë privat dhe unë pata një reagim të menjëhershëm. Kam qenë në Paris edhe kam pasur një lidhje direkte nga Parisi. Kam thënë në asnjë mënyrë. Do ta mbrojmë. Nuk mundemi. Ka vetëm një teatër Shqipëria, një Teatër Kombëtar dhe këtë nuk do ta humbim kurrë. Domethënë reagova menjëherë. Për gjëra të rëndësishme nuk duhet heshtur. Dhe unë nuk kam qejfmbetje. Unë dua që në atë mbrëmje përveç këtyre që thamë, të kishte dalë kalendari artistik. Çfarë do të bëj ky teatër në të ardhmen? Çfarë programacioni ka ky teatër? Çfarë program ka për këta të rinj të cilët po mbarojnë Akademinë dhe nuk dinë se ku të shkojnë? Domethënë ky duhej të ishte gjithë suksesi i këtij teatri.

Mira Kazhani: Sepse besoj kështu funksionon dhe në botë?

Inva Mula: Po kudo. Në radhë të parë ka një kalendar.

Mira Kazhani: Po pse ecim ne pa kalendar?

Inva Mula: Po ne e kemi mendjen akoma tek xixat. Ne e kemi akoma mendjen tek shkëlqimi. Po shkëlqimi në art nuk është ajo që duket, ajo që është brenda, shkëlqimi i shpirtit. Edhe shpirti mbahet nga njerëz që e kanë atë potencial për ta pasur.

Mira Kazhani: Jeni pesimiste apo optimiste apo jeni disi neutrale në këtë drejtim? Neutrale në fakt e thashë kot se vetëm neutrale nuk më dukeni.

Inva Mula: Jo, neutrale nuk jam. Nuk jam as pesimiste, as optimiste, unë do doja që teatri të udhëhiqet nga njerëz profesionistë. Vetëm ashtu bëhet. Nga njerëz që e kanë mbajtur mbi shpinë edhe karrierën, edhe suksesin. Edhe mos aludoni këtu se vetëm unë nuk e bëj atë gjë, për arsyen se kam akoma gjëra për të bërë. Nuk e them për veten time. Teatri duhet të mbahet nga profesionistë.

Mira Kazhani: Për shembull ka ndonjë profesionist apo nuk do doje të ndaleshe në asnjë emër. Po për shembull?

Inva Mula: Jo se s`mund të ndalem në asnjë emër, po për shembull mund të ishte edhe një i huaj që mund ta bënte Teatrin e Operas dhe Baletit. Ju imagjinoni çfarë potenciali artistik të të rinjve ne kemi. Ne kemi të rinj të jashtëzakonshëm, me zëra të mrekullueshëm.

Mira Kazhani: Si shpjegohet ky talent i shqiptarëve? Jemi shumë pak, 3 milionë jemi, flasim në kufijtë tonë, nuk po flasim për diasporën dhe prodhojmë, prodhojmë talente.

Inva Mula: Unë mendoj që prodhimi i talenteve në Shqipëri është një kryqëzim dhe më shumë se kryqëzim, është një ndërthurje e temperamentit shqiptar që lufton për njëshin, e një kulture lindje-perëndim e cila në Shqipëri, domethënë, nëse shikojmë artin klasik, arti klasik ka mbajtur edhe në vitet e vështira komuniste të gjithë kampit socialist e ka mbajtur lart pishtarin e artit. Ka qenë aseti më i bukur kombëtar për gjithë këto shtete. Tjetër. Prindërit tanë, mësuesit tanë, akoma mbajnë mbi supe një shkollë dhe edukim profesional të jashtëzakonshëm se kanë qenë pikërisht të studiuar në gjithë këto vende. Influenca italiane në Shqipëri, ku shqiptarët e mësuan italishten nga televizori. Mund ta imagjinoni Italia që është djepi i kulturës dhe i muzikës klasike, i operës dhe e kemi veshin dhe gjithmonë e kemi marrë guston e mirë të të kënduarit, të ‘bel canto-s’ italiane. Dhe të gjitha këto që thashë janë të ndërthurura tek ne. Dhe do të thosha ndoshta dhe kushtet gjeografike. Klima, bregdeti, bënë që shqiptarët të kenë zëra të bukur. Pa harruar dhe diçka shumë të rëndësishme. Nëse e vini re kur këndohen gjuhët, ka gjuhë që këndohen natyrshëm, bukur. Ka gjuhë që këndohen me vështirësi. Se janë vetë zanoret të tilla që e mbyllin ose e hapin në mënyrë artificiale zërin, shqipja e ka gjuhën e bukur. A-në e ka A, O-në e ka O. Tingëllojnë bukur. Gjuhët latine e kanë, por frëngjishtja për shembull nuk e ka. Unë që kam studiuar për një kohë të gjatë të kënduarin në frëngjisht është shumë e vështirë. Italishtja e ka. Shqipja e ka. Se ka gjuhën e bukur dhe i ka të gjitha zanoret të rrumbullakosura. Kjo bën që edhe mënyra e impostimit të zërit tek shqiptarët, të vijë natyrshëm.

Mira Kazhani: Inva, çfarë raporti ke mundur të krijosh, të vendosësh me famën? Si je marrë vesh me këtë dhe kush janë anët e mira dhe jo fort të mira?

Inva Mula: Unë mendoj që suksesi im personal, si njeri, është që kam ndarë Invën artiste, me Invën njeri. Inva artiste ka formuar njeriun. Dhe e ka formuar njeriun se e ka përballuar me vështirësi të mëdha. Se kur ti arrin të dalësh me 50 dollarë si puna ime në Paris, edhe të mos njohësh asnjëri edhe të arrish të çash, kërkon vërtet një mund të madh. Kërkon një sacrifice të madhe. Por ama kjo Inva artiste që kërkonte e formoi dhe e rriti këtë Invën njeri. Dhe nga ana tjetër ky njeriu që u bë falë Invës artiste u bë me këmbë në tokë.

Mira Kazhani: Me paratë çfarë raporti ke?

Inva Mula: Me paratë kam raportin që njeriu ka nevojë… Sting ka thënë një shprehje shumë të bukur. Raporti që kam me paranë është ajo që nuk e dua, por më ka bërë që të realizoj ëndrrat e mia.

Mira Kazhani: Vajza e Avni Mulës dhe e Ninës. Nga Tirana. 200 metra afër TKOB. Më pas në vitet `90, qoftë edhe pse me 50 dollarë, arritët të shkonit dhe në fund të fundit kishit me vete talentin dhe një punë të jashtëzakonshme dhe duket sikur, ju dukeni sikur në çdo moment ju janë hapur portat. Në çdo moment gjërat kanë ardhur natyrshëm. Ka qenë e tillë jeta juaj? Pa pengesa?

Inva Mula: Jo, kjo është ajo pjesa që çdo njeri do të donte që të ishte e tillë. Kur fola më parë për këmbët në tokë, kanë qenë pasi përpjekjet e mia në radhë të parë, jo për të depërtuar, por për të qëndruar në këmbë në atë Paris të madh, në ato dyer të mbyllura që nuk dija nga ta filloja e nga ta kapja. Dhe ajo ishte bukuria. Që ti shkon, përballesh. Gjëja më kryesore që unë kisha ishte shkolla që kisha marrë në Shqipëri. Teknika vokale që kisha marrë me mamanë time. Ato ishin të barazvlefshme me çdo edukim të studentëve të tjerë që gjeta në Paris. Ajo ishte arma ime dhe ajo ishte do të thosha edhe pasuria ime më e madhe që unë kisha. Dhe ajo ishte karta që i hapi dyert. Dhe një vit mbas kësaj historie të 50 dollarëve në xhep, shikoj një afishe në muret e Teatrit të Operës në Paris ku do të dëshiroja vetëm të isha si spektatore, që bëhej konkursi i Placido Domingos. Zhvillohej konkursi i parë “Placido Domingo” në Paris. Thashë do marrë pjesë. Në momentin që u regjistrova shkoj për të bërë ato, se ishin disa eliminatore, edhe nuk e gjeta emrin. Nuk e gjeta emrin edhe më thotë personi që e organizonte, “À la fin”, “në fund”. Edhe unë atëherë nuk e kuptova në fakt dhe thashë “maintenant”, “tani”. E thashë se ose kisha determinimin për ta bërë se s`bën atë gjë, ose ngaqë nuk e kuptova gjuhën.

Mira Kazhani: Shkuat me pak frëngjisht atje ashtu si me pak para?

Inva Mula:Me shumë pak frëngjisht të mësuar në Shqipëri. Që nuk e kuptoja. Kur shkon në një shtet të huaj ku flitet gjuha që ke mësuar në një vend tjetër, nuk ka lidhje muajt e parë dhe mësuesja ime ishte italiane. Flisja italisht kështu që ishte një gjuhë që e fillova me vonesë. Dhe i thashë “maintenant”. Ndoshta ajo ka qenë zgjidhja se ishte fuqia e të tashmes.

Mira Kazhani:Energjia.

Inva Mula:Prandaj Mira. Unë kam pasur në karrierën time, ndoshta një ditë kur do lexojmë librin autobiografik timin…

Mira Kazhani:Po e shkruan?

Inva Mula: Po sigurisht. Kam vite që e shkruaj.

Mira Kazhani: Po kur pritet të botohet?

Inva Mula: Nuk e them këtë.

Mira Kazhani: Është në vazhdim?

Inva Mula: Dalin ngjarje të çuditshme dhe them si të mos jetë dhe kjo, dhe kjo, dhe kjo.

Mira Kazhani: Po do përshkruash për shembull edhe mbrëmjen gala?

Inva Mula: Nuk e di.

Mira Kazhani: Ndoshta gjëra që nuk m`i thatë sot mua.

Inva Mula: Nuk e di nëse do t`i kushtoj vëmendje, por unë do doja që… më shumë libri do t`i kushtohet brezit të ri. Brezit të ri se të rinjtë kanë nevojë për modele.

Mira Kazhani: Po përmes kujtesës dhe memories, se siç edhe thatë që nuk kemi memorie?!

Inva Mula:Absolutisht.

Mira Kazhani: Dhe meqë u kthyem prapë tek teatri, unë lashë një pyetje të rëndësishme pa bërë. Si ju duket? Ju pëlqen rinovimi i tij?

Inva Mula: Nuk kam qenë.

Mira Kazhani: Fotografi keni parë?

Inva Mula: Po fotografi kam parë po do thosha nuk më kanë ftuar. Po në fakt nuk mund të shkosh… Po të ketë shfaqje në ditët në vazhdim, do të shkoj si spektatore.

Mira Kazhani: Djali duhet të jetë rritur. Nina sa vjeç shkoi?

Inva Mula: Nëntë.

Mira Kazhani: Ndërsa djali është?

Inva Mula: 26

Mira Kazhani: Fëmijët e tu kanë ardhur në dy faza të ndryshme të jetës tënde. Djali në kulmin e karrierës, famës, të një ritmi frenetik të jetës, ndërsa Nina në një moment më të relaksuar, besoj. A janë fëmijë ndryshe, edhe për shkak të një mami që ka qenë në rrethana krejt të ndryshme. Ndoshta kanë qenë dhe aty dy Inva të ndryshme, dy mama të ndryshme.

Inva Mula: Janë dy breza, dy gjenerata që s`kanë lidhje me njëri-tjetrin. Edhe unë kam një djalë të vetëm dhe një vajzë të vetme në kuptimin që s`kanë jetuar bashkë dhe nuk janë rritur bashkë, siç rriten fëmijët që kanë 4, 5, 6, 7 vjet, po këta kanë 17 vjet diferencë. Unë në gjithë karrierën time, e vetmja gjë që më ka ngelur e parealizuar është se çdo herë kam qenë duke vrapuar. Se mbas çdo shfaqje në vend që të pushoja, kam qenë duke vrapuar për të kapur ose avionin, ose trenin, ose makinën për të takuar djalin. Dhe asnjëherë s`kam qenë e përmbushur. Vija me lot e lija me lot. Unë ikja dhe thosha, se duhet të mendoni në atë kohë, në periudhën që djali ka qenë i vogël s`ka pasur asnjë mundësi që ti të…

Mira Kazhani:Interneti, nuk ishte si tani.

Inva Mula: …Që të komunikoje. E mbaj mend si tani, unë këndoja në Operën e Tuluzit dhe ishte hera e parë që doli Face Time dhe thashë, ua po këta sikur e kanë zbuluar për mua që të jem në lidhje me djalin. Po punonte shumë pak dhe ajo lidhja me internetin ka qenë shumë e dobët. Thashë, një gjë e mrekullueshme. Prandaj nëse kam një kujtim jo të mirë…

Mira Kazhani: Si peng ndoshta?

Inva Mula: Po nuk mund ta them peng se ka qenë pjesë e jetës.

Mira Kazhani: Merak?

Inva Mula: Ka qenë ajo që unë nuk u ngopa njëherë. Nuk u ngopa njëherë me djalin. Dhe kur isha shumë e mërzitur, këtë e kam thënë, shkova në shkollë duke qarë dhe i thashë. Sot jam mami këtu, por shikoj këto mamat e tjera që janë përditë që presin dhe ti do doje të kishe një mami që e kishe këtu apo këtë mami që ke? Dhe ai më tha, më tha në frëngjisht: “Je te préfère comme la diva que tu es “, Të preferoj si diva që je.

Mira Kazhani: Unë nuk di frëngjisht, por këtë e kuptova.

Inva Mula: Kjo më dha forcë.

Mira Kazhani: Çfarë djali!

Inva Mula: Djali më paska model. Kështu që Inva ti vazhdo mos u ndjej keq. Se ndoshta nuk i dhe kohën, por i dhe cilësinë e kohës, edhe të dashurisë.

Mira Kazhani: Kam një kujtim të veçantë për ju edhe nuk jua kam thënë, por po marr guximin ta them në këtë intervistë. Të kam telefonuar kur humbi babain Pirro Çako, ish-bashkëshorti, edhe, jo nuk ju kam telefonuar unë, më keni telefonuar ju, kishit një merak për lajmin, që të ishte i saktë dhe siç duhet, dhe më mbeti mendja ju kishit një raport të jashtëzakonshëm me ish-vjehrrin tuaj dhe ish-vjehrrën tuaj, por edhe me Pirron që kishit mbetur miq. Nuk ndodh shumë, sidomos në kulturën tonë.

Inva Mula: Tani përveçse unë kam jetuar për 20 vjet në familjen Çako. Për Gaqo Çakon kam një adhurim të jashtëzakonshëm si artist. Dhe e kam shprehur kudo. E kam parë ndoshta mijëra herë. Do të thosha unë jam rritur që e vogël megjithë interpretimet e Gaqo Çakos në Opera dhe e kam adhuruar që e vogël. Domethënë u rrita me një adhurim për atë artist të madh. Dhe ishte vërtet. Ndoshta është artisti lirik më i madh që ka nxjerrë Shqipëria. Në momentin që unë hyra në familjen Çako na qëlloi dhe të këndonim bashkë. Dhe ai u bë model sepse unë pashë mënyra sesi këndonte Gaqo Çako, ai i kishte përkushtuar, kishte dhënë jetën për artin. Oraret e tij edhe në familje ishin në organizuara. Në atë kohë Gaqo nuk bënte karrierë internacionale se nuk mundej, por bënte karrierë në TKOB.

Inva Mula: Meqë ra fjala kishte ndonjë homazh për Gaqo Çakon? Apo këtë nuk e dini?

Mira Kazhani: Në dijeninë time jo, por nuk e dimë as këtë. Do të doja që të ndalemi këtu.

Inva Mula: Ai ishte shembull. Ishte në një moshë të caktuar dhe ai e fillonte ditën duke u ushtruar si një sportist i nivelit të lartë. Ushtrohej një orë dhe pastaj fillonte ditën. Pinte kafen. Takonte shokët. Pavarësisht se mund të kishte shfaqje apo jo në darkë. Dhe pastaj më ra që të këndoj me Gaqon, jo vetëm në Shqipëri, por të kemi edhe turne jashtë shtetit dhe ishte një raport shumë i lezetshëm se e kisha edhe vjehërr, edhe partner në skenë si të vinte historia e shfaqjes. Kështu që ai më adhuronte si artiste e re dhe unë e adhuroja si idhullin tim. Dhe më ka ngelur nga kujtimet më të bukura që ndoshta disa ditë përpara se disa ditë përpara se Gaqo të ndahej nga jeta, kam shkuar dhe i kam çuar një tufë kaq të vogël me lule se mendova që nuk lejohej në spital.

Mira Kazhani: Shumë bukur, shumë e ndjerë! Ke një shoqe të ngushtë?

Inva Mula: Kam shumë shoqe. Kam shumë shoqe, po tani shoqen më të ngushtë, më të ngushë, kam Ninën. Dhe meqë ra fjala. Atë që nuk e bëra dot për Anthony-n, unë i shkoj vajzës në shkollë çdo ditë kur jam e lirë, e çoj dhe e pres nga shkolla. Dhe them nuk ka gjë më të bukur se momenti i pritjes nga shkolla. Momenti i pritjes që ti shikon ato fytyrat e vogla që kërkojnë prindin ose personin që ka ardhur dhe unë që në 100 fëmijë, kërkoj sytë e Ninës. Nëse ka emocion më të bukur se ky. Jam e lumtur që po e përjetoj tani dhe pse e përjetova shumë pak me Anthony-n.

Mira Kazhani: Je kthyer për të jetuar në Tiranë? Do jetosh këtu përfundimisht?

Inva Mula: Asnjëherë nuk ka përfundim me mua. Gjithmonë, unë jam në kërkim, në ecje. Më pëlqen një gjë dhe e përjetoj, nuk më pëlqen e ndryshoj.

Mira Kazhani: Për momentin, “maintenant”, tani?

Inva Mula: “Maintenant” jam në Tiranë.

Mira Kazhani: Je në Tiranë. Ku jeton?

Inva Mula: Jetoj në Tiranë. Diku nëpër kodra.

Mira Kazhani: Keni një shtëpi bukur, një apartament, një shtëpi të bukur?

Inva Mula:Kam një apartament i cili mbi të gjitha ka shumë dritë dhe shumë natyrë.

Mira Kazhani: E keni arreduar vetë?

Inva Mula:Po, edhe këto më bëjnë të lumtur. Të kem dritë edhe natyrë.

Mira Kazhani: Faleminderit Inva edhe shpresoj të takohemi sërish, ndoshta për të folur për librin e ardhshëm!

Inva Mula:Faleminderit ju dhe do doja të thosha edhe një gjë. Një epilog të bisedës tonë. Falenderoj shumë të gjitha ata që u shqetësuan, që u dëshpëruan, por absolutisht jeta nuk ka mbaruar, unë mund të rivij me një koncert timin, me miqtë e mi, për të bërë një koncert shumë të bukur, edhe për të ftuar pikërisht ata njerëz që e duan artin dhe ata që nuk vijnë vetëm për të treguar se si jemi veshur, por vijnë se e dashurojnë artin.

Mira Kazhani:Unë do vij dhe pa ftesë! Jo, do pres ftesën, por si spektatore.

Inva Mula:Si spektatore, je, je.

Mira Kazhani:Si spektatore e mirë jam, por gjë tjetër nuk di të bëj në opera. Faleminderit Inva!

Inva Mula:Gjithashtu!

*Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe ribotimi pa lejen e editorit!

*Tiranapost.al.