Stil jete

Pse Suedia po konsiderohet modeli europian për uljen e duhanpirjes?

Pse Suedia po konsiderohet modeli europian për uljen e duhanpirjes?

Teksa debati mbi duhanpirjen dhe alternativat pa tym vazhdon në shumë vende të botës, Suedia po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e ekspertëve të shëndetit publik për një arsye të thjeshtë: ka arritur një nga nivelet më të ulëta të duhanpirjes në Europë.

Kjo ishte një nga temat kryesore të diskutuara në Technovation Smoke-Free 2026, një forum ndërkombëtar i zhvilluar në Stokholm, ku u mblodhën studiues, profesionistë të shëndetit publik, përfaqësues të industrisë dhe ekspertë të politikave shëndetësore për të diskutuar të ardhmen e konsumit të nikotinës dhe mënyrat për të reduktuar dëmet që lidhen me duhanpirjen.

Ajo që bie menjëherë në sy në kryeqytetin suedez është mungesa pothuajse totale e cigareve tradicionale në hapësirat publike. Në rrugët kryesore, pranë kafeneve, stacioneve të transportit apo zonave të frekuentuara nga të rinjtë, është e vështirë të shohësh njerëz duke pirë cigare. Në vend të tyre, shumë përdorues të rritur zgjedhin produkte alternative që nuk përfshijnë djegien e duhanit.

Ky ndryshim nuk ka ndodhur rastësisht. Për dekada me radhë, Suedia ka ndjekur një qasje që fokusohet jo vetëm tek parandalimi i duhanpirjes, por edhe tek ofrimi i alternativave për ata duhanpirës të rritur që përndryshe do të vazhdonin të konsumonin cigare tradicionale.

Sipas ekspertëve të pranishëm në konferencë, një nga elementët më të rëndësishëm në këtë diskutim është dallimi mes nikotinës dhe tymit të cigareve. Shumica e sëmundjeve të lidhura me duhanpirjen shkaktohen nga substancat toksike që krijohen gjatë procesit të djegies së duhanit dhe jo nga vetë nikotina. Për këtë arsye, shumë kërkime shkencore janë fokusuar në zhvillimin e produkteve që eliminojnë djegien dhe, si rrjedhojë, reduktojnë ekspozimin ndaj substancave të dëmshme.

Gjatë sesioneve të Technovation u prezantuan të dhëna dhe analiza që tregojnë se Suedia ka arritur rezultate më të mira se shumica e vendeve europiane në uljen e numrit të duhanpirësve dhe në reduktimin e disa sëmundjeve të lidhura me duhanpirjen. Kjo ka bërë që modeli suedez të studiohet gjithnjë e më shumë nga ekspertë dhe institucione ndërkombëtare.

Megjithatë, debati mbetet i hapur. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe shumë autoritete të shëndetit publik vazhdojnë të theksojnë se produktet me nikotinë nuk janë pa risk dhe se forma më e mirë për shëndetin mbetet mosfillimi ose ndërprerja e plotë e përdorimit të çdo produkti me nikotinë. Në të njëjtën kohë, një numër në rritje studiuesish argumentojnë se strategjitë e reduktimit të dëmit mund të luajnë një rol të rëndësishëm për duhanpirësit e rritur që nuk arrijnë të heqin dorë nga cigaret.

Për Shqipërinë, ku niveli i duhanpirjes mbetet ndër sfidat kryesore të shëndetit publik, përvoja suedeze ofron një rast interesant studimi. Pyetja që shtrojnë shumë ekspertë sot nuk është vetëm se si mund të parandalohen brezat e rinj të fillojnë duhanin, por edhe si mund të reduktohet dëmi tek miliona duhanpirës të rritur që vazhdojnë të konsumojnë cigare.

Ndërsa vendet e ndryshme kërkojnë zgjidhje për të përshpejtuar uljen e duhanpirjes, Suedia po paraqitet gjithnjë e më shumë si një laborator real i politikave dhe praktikave që mund të ndihmojnë në kuptimin e asaj që funksionon. Dhe pikërisht për këtë arsye, përvoja e saj po ndiqet me interes nga ekspertë, studiues dhe politikëbërës në mbarë botën.