Politikë

Ish ministri i Ramës, Ditmir Bushati për protestën: Shqipëria foli! Duhet zhbërë ky sistem

Në ditëlindjen e 35-të të Partisë Socialiste, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka zgjedhur të pozicionohet qartë në anën e Shqipërisë së re të protestave.

Përmes një shënimi publik, ai kthehet në vitin 2013 dhe i kujton kryeministrit Edi Rama vargjet e Gjergj Fishta që recitoheshin në atë kohë: Për me sundue një shtet, nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia. Duhet nder, dije, urti, burrni. Qe se çka duhet!

Bushati ndalet te transformimi që sjell pushteti i gjatë, duke folur për një sistem ku pushteti politik, media, oligarkia dhe krimi i organizuar janë shndërruar në hallka të të njëjtit zinxhir. Sipas tij, atdheu ka nevojë për një shkundje të fortë dhe për zhbërjen e këtij mekanizmi të instaluar ndër vite.

Mesazhi i tij duket i qartë: Shqipëria ka hyrë në një moment kur kërkohet më shumë se rotacion politik; kërkohet një ripërtëritje e vetë sistemit.