
Qytetarët kanë dalë sërish në protestë këtë të mërkurë, duke shënuar ditën e 11-të radhazi të tubimeve, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sikurse edhe në ditët e kaluara, protestuesit u mblodhën në orën 18:00 në sheshin Skënderbej, për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Në këtë pikë janë parashikuar fjalime nga organizatorët, aktivistët dhe qytetarët pjesëmarrës, ndërsa më pas protesta pritet të shtrihet në disa nga akset kryesore të Tiranës.

Tubimi i kësaj të mërkure është cilësuar si një protestë mbarëkombëtare, me thirrje për pjesëmarrje jo vetëm nga qytetarët brenda vendit, por edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Organizatorët e lidhin këtë datë me përvjetorin e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, duke e konsideruar atë si një simbol të unitetit dhe bashkimit kombëtar.