Bëje me Arkitekt

Çfarë duhet të bëni urgjent me muret e shtëpisë? Gabimi që bëjmë të gjithë

Ingrid Martini, Arkitekte/ Për shkak të natyrës së punës që bëj, unë hyj në shumë shtëpi, apartamente, banesa. Po vërtet shumë! Në përgjithësi shijen e kanë të ndryshme nga njëra tjetra, megjithëse varfëria e tregut të mobiljeve sot, është një emërues i përbashkët. Po për këtë do te flasim herën tjetër ose disa herë të tjera, pasi është një temë ku ndikojnë shumë faktorë. Ajo që unë vërej me shumë keqardhje, është se janë të zhveshura nga dekori, sidomos nëpër mure! Janë BOSH! E më vjen shumë keq kur shoh këto mure me ngjyra, pa ngjyrë e të zbrazët. E bëjnë të gjithën të ndihet kaq pa shije, e ftohtë, e pambaruar si punë. Më e keqja e mungesës është se e bëjnë të ndihet të papersonalizuar! Pasi janë pikërisht këto objekte, ose të paktën një pjesë e tyre, që reflektojnë shijet dhe preferencat tona! Nuk mundet që thjesht të vendosësh disa mobilje në një ambjent e ta quash punë të mbaruar. JO! E parë kështu, mund të ishte hapësira e gjithkujt! Ama mënyra sesi ne zgjedhim të ndriçojmë, ku fokusojmë shikimin, se si kombinojmë finiturat, materialet, ngjyrat, dhe sesi e dekorojmë atë (përfshirë këto edhe sesi dekorojmë muret), që i japim shpirt e karakter. E bejnë të perceptohet që kjo hapesirë është e dikujt në veçanti!

E për ta bërë të gjithën këtë nevojitet ajo gjeja më e çmuar që dispononi! Jo,jo, nuk janë paratë! :)

Është pikërisht KOHA juaj! Ajo fizike! Duhet kohë të përqëndroheni e të përzgjidhni se çfarë doni të ekspozoni nëpër mure. Duhet , si fillim të arrini të kuptoni se çfarë ju pëlqen. Në lidhje me artin psh. A do t’ju pëlqente të kishtit piktura? Apo fotografi? Apo printe? Apo objekte sende të tjera? Pastaj të kuptoni nëse ju pëlqen një pikturë abstrakte, apo kubiste, apo ekspresioniste, apo realiste, apo super realiste. Ka kaq shumë rryma e stile, e ka për të gjitha shijet e për secilin prej nesh. Tani, une e kuptoj që të kesh një pikturë ose më mire disa (apo akoma më mirë , shumë prej tyre) është një investim i vërtetë. Por këto objekte, nuk janë ushqimet, që me një rrugë në market, i blen bashkë! Në kursin e jetës, ato blihen me ngadalë, një nga një. E mos u nisni nga shijet e të tjerëve, për të vlerësuar ato që ju do i shihni ditë për ditë, disa herë në ditë! Do të duhet t’ju pëlqejnë, t’ju thonë dicka, t’ju japin një emocion, t’ju bëjnë të mendoni! Vetëm kjo ka rëndësi! (përveç rasteve të atyre pikturave kineze, shabllon, me pejzazhe të tmerrshme, me trupa femrash, me abstaksione ordinere).

Përtej kësaj, sot artistët në përgjithësi, e sidomos piktorët, këtu në Shqipëri, e shesin artin e tyre për kaq pak lekë, sa është një mëkat të blesh ato tmerret seri. Ju betohem që me të njëjtën kosto, do të gjeni punë kaq të mira, unike!

E mbi të gjitha do i jepni një dorë këtyre artistëve! Në rast se as këtë variant, nuk mund t’ja lejoni blerjeve tuaja, atëherë, mund të beni diçka më ekonomike. Të printoni në kanavace piktura të famshme që ju pëlqejnë! Sigurisht që nuk ka të njëjtin impakt, por të paktën të jep mundësinë të shijosh pak art afër teje. Duhet vetem te beni nje search në rrjet, e të kërkoni imazhe pikturash me cilësi të mirë. Mund të kërkoni me emrin e piktorit ose stilit. E galeritë me imazhe me rezolucion të larte, i gjeni pafund në internet. Në rast se as këtë nuk e keni dëshirën apo mundesinë ta bëni, keni gjithmonë në dispozicion fotografitë. Mundësisht, të printuara në cilësi e letër të mirë. Koston e kanë minimale. Secili prej nesh, do ia lejonte vetes, të printonte. Kjo përfshin qoftë  fotografi tuajat, qofë të fotografëve të famshëm, foto që kanë marrë çmime. Po,po, foto tuajat, personale, të prindërve, të fëmijëve, të të afërmve, të gjyshërve. Foto që ju sjellin në mendje çaste të bukua, të gëzuara, që ju kthejnë pas në kohë, që kanë aromën fantastike të fëmijerisë! Foto që sa herë t’u hidhni sytë t’ju bëjnë të buzëqeshni qoftë edhe me modelin e flokëvë që keni patur atëherë! Mos më thoni që nuk keni foto të tilla, se nuk e besoj! Unë vetë, preferoj shumë më mirë foto te vjetra, bardhe e zi, sesa këto fotot e tanishme në sete fotografike. Kane një atmosferë të papërsëritshme!

Perveç këtyre lloj fotove që mund të mbushin një mur në dhomën ose sallonin tuaj, është edhe mundësia e fotove print. Foto lulesh, pejsazhesh, psh: Janë ato që rrinë mirë gjithandej. Shkojnë kudo. Veçse janë më komerciale. Prandaj duhet që përzgjedhja të bëhet në foto artistike still life, mundësisht me një sfond njëngjyrësh, të errët apo të çelët. Pastaj vjen radha e kornizimit të tyre, por kjo është një sfidë më vete, aspak e thjeshtë. Ajo mund të shndërrisë ose ta zhvlerësojë subjektin tuaj. Por për këtë do të duhet të flasim një herë tjetër.

Ndërkohë, filloni të ëndërroni, duke u ndihmuar sadopak nga galleria më poshtë se si mund të ndryshojë shtëpia juaj. E mbushini muret pa frikën se çfarë do mendojnë të tjeret kur t’i shohin. Sa më shumë, aq më mirë.

Sepse “If it makes u feel right, it can’t be wrong”/ Copyright Tiranapost.al