Situatë e pazakontë në Kakavijë, dhjetëra shqiptarë flenë në makinë. Çfarë thotë ministria e Jashtme?
Qytetarë shqiptarë që kanë kaluar natën në makinat e tyre, në mes të vapës dhe pa dyqane përreth zonës së pikës së kalimit kufitar në Kakavijë. Radhës e gjata me makinë përshkojnë deri në 20 kilometër, dhe mes qytetarëve ka nga ata me probleme shëndetësore, fëmijë, gra shtatzëna dhe të revoltuar që nuk kanë opsion tjetër veçse të presin.
Por çfarë thotë Ministria e Jashtme Shqiptare për situatën e pazakontë?
Në një reagim për ABC News, ministria thotë se ka kontaktuar me palën greke dhe se vonesat nuk po shkaktohen nga policia por nga autoritetet shëndetësore.
Komisioneri për Mbrojtjen dhe Diskriminimin Robert Gajda bën thirrje që të merren masa pozitive për situatën shqetësuese.
Fluksi i atribuohet edhe vendimit të autoriteteve greke, pasi nga data 16 gusht, nuk do lejohen më shumë se 720 persona të kalojnë kufirin, gjithashtu duhet të kenë me vete testin e koronavirusit të kryer në Shqipëri jo me vonë se 72 orë.
Aktualisht, autoritetet shëndetësore në kufi kryejnë kontrollin e pasagjerëve shqiptarë që presin të kalojnë kufirin. Ditët e fundit kalimi bëhet vetëm në një orar: Nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 10 të mbrëmjes. Pas këtij orari askush nuk lejohet të kalojë kufirin.
Në përgjigjen e ministrisë së Jashtme thuhet:
Është realizuar takim me drejtues të palës greke dhe theksojmë se problemi në lëvizje nuk krijohet nga autoritetet policore greke apo ato doganore, por nga autoritetet shëndetësore në Pikën e Kalimit Kufitar të palës greke. Teksa në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, puna vijon normalisht.Në Pika Kufitare të tjera, pala Greke nuk kryen procedura hyrje/dalje, për mjete dhe shtetas, por procedon vetëm raste urgjente.