Lajmi është konfirmuar nga vëllai i ish-Presidentit. Ndahet nga jeta Bujar Nishani

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është ndarë nga jeta ditën e sotme!
Pasi shumë media raportuan vdekjen dhe disa të tjera thanë se ish Presidenti ndodhej në gjendje kritike, Tiranapost.al ka konfirmuar nga vëllai i ish-Presidentit, Ilir Nishani se ish-kreu i shtetit ka ndërruar jetë.
Ai ndodhej në koma të thellë pa shpresë për jetën prej afro një jave në një spital në Gjermani, ku ishte shtruar pas komplikimit të gjendjes shëndetësore.
Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me Covid-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi i ka lënë në organizëm.
Fillimisht Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat postcovid e kanë lënë me shenja pneumonie në mushkëri. Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë, por më pas ajo u përkeqësua.
Bujar Nishani ishte 58 vjeç dhe ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017.
Ai ishte i martuar dhe ka lënë pas 2 fëmijë.