25 Rreshtat e Mirës

Pse unë do votoj Beniadën

Pse unë do votoj Beniadën

Nga Mira Kazhani/ "Big Brother Vip" ka mbajtur me gjellë portalet dhe me punë shqiptarët! Jo për snobizëm, në "Tiranapost" nuk kemi prodhuar lajme, sepse nuk është në qasjen e kësaj faqe ky lloj informimi as ky lloj klikuesi.

Por, nga ana tjetër, temat që prodhon një "reality show" me kaq shumë audiencë të imponojnë qëndrime siç ka qenë ai për këngëtaren Fifi, e cila na tregoi se sa lakuriq e se sa ftohtë bën në jetën e disa artistëve, dhe më vonë edhe sa mungesë ekuilibrash dallon në kurbat e veprimeve të tyre. Njerëz janë tek e fundit!

"Big Brother" vjen si koncept nga një novelë distopike e George Orwell, për një personazh politik që survejon masat vetëm për interesin e tij personal.

Për këdo që irritohet për “kotësinë e argumentit” në Big Brother, i duhet sjellë në vëmendje se në çdo vend, që kur nisi në Holandë, ishte dhe mbetet një show për të argëtuar masat. Në asnjë rast ai nuk është një eksperiment që avitet të njohë qenien njerëzore, por natë pas nate të vendosë pjesëmarrësit në nivele të tilla stresi, përballje me deklarata rivalësh brenda shtëpisë, rrëfime në dhomën e sekreteve që formula lejon shkeljen e etikës duke i zbuluar të gjitha, në mënyrë që publikut t`i shkojë në maksimum kënaqësia e vuajerizmit dhe pjesëmarrësve në ekstrem trauma dhe çrregullimi i humorit.

Në thelb "Big Brother" është një “Squid Game” psikologjik dhe pikërisht për këtë publiku krijon varësi pas tij. Tifozeria bëhet e madhe dhe sa më shumë të tirret një histori, më shumë e humbasin të gjithë davanë, por edhe kjo është pjesë e lojës. Për sa kohë ka njerëz që luten të shkojnë dhe një audiencë madhore që i ndjek, ai "vlen”. Përtej çështjeve të etikës që nuk kanë më rëndësi, reality është po aq “edukues”, sa emocionues dhe provokues!

Edukues? Po, mos u habisni ose lexojeni argumentin:

Edukues është sepse kupton shumë mirë diferencat kulturore, gjinore, etj., etj. Kupton se në ç'humor është shoqëria! Çfarë tabush kanë rënë dhe çfarë është shpikur e re që nuk e dimë. Vuajtjet, dëshirat, veshjet, sherret, rrëfimet, përballjet, deri edhe ëndrrat tregojnë shumë se çfarë jemi ne sot!

Për shembull, a nuk ju ka shkuar ndër mend të bëni një krahasim të vogël: dy personazhe shumë të pëlqyer janë që të dy, dy shqiptarë që nuk jetojnë në Shqipëri, por jetojnë në Itali, Iliri dhe Beniada.

Ky fakt duhet të na shqetësojë. Pse? Sepse:

Për parantezë Beniada është më shumë italiane se shqiptare, sepse është rritur atje. Por do të flas në fund për të.

1-Iliri ka shkuar pasi ka qenë i formuar në Shqipëri dhe i bie në sy për shembull doza shqiptare në mjeshtërinë e përfitimit nga loja në interes të vet. Është pragmatist situatash, por Italia dhe përvoja si një artist emigrant e ka bërë atë më të sofitistikuar, më të pjekur dhe më të përmbajtur në qasjen e lojës. Kombinim i duhur Shqipëri-Itali!

Eksperienca është gjithnjë e mirëpritur në krahasim me çdo inteligjencë apo talent.

Ndërsa po të shohësh vajzat dhe djemtë që kanë jetuar kryesisht në mjedisin tonë, në Shqipëri, Donald, Einxhel, Arjola, janë më të polarizuar, me përjashtim nga Monika.

Monika është një modul i mbijetuesit në realitetin shqiptar “mbaje mirë me të gjithë. Ose, nëse do të mbërrish shpejt, ik vetë, nëse do të shkosh larg ik me shokë”. Monika është rasti i të gjithë atyre që njohim dhe që pa ndonje talent apo sakrifica dërrmuese ia dalin të ecin krah për krah atyre që lodhen më shumë e mund të dinë më shumë. E gjitha falë asaj vetie të vogël jo pak shqiptare “oportunizmi”.

Donaldi ka impulsivitetin, nxitimin dhe sidomos intimidimin që mjedisi shqiptar ua imponon të rinjve. Një djalë, që mund t`ia kishte dalë me humor e energji rinore, u shndërrua në një të ri plot neuroza, mjaft të kujtosh këmbët që i lëviz çdo puntatë tëk-tëk tëk-tëk! Për t`i shtuar këtu edhe pamundësinë për të thënë që “e do dikë” e që “nuk e do më dikë”.

Evazivja është po aq kulturë e jona. Dhe këtë e përfaqësoi pa ekuivokë një 27-vjeçar, i pashëm dhe plot talent, dy vlera që u zbehën në mënyrë të pavullnetshme nga nevoja për t’i pëlqyer publikut.

Arjola - viktima. Shoqëritë në përgjithësi i duan gratë që dinë të sillen edhe si viktima. Me personalitet dhe gjithnjë e fortë bëhesh disi antipatike për shoqërinë. Sepse njerëzit kanë të gjithë, në mënyrë sekrete, dobësi dhe nuk i durojnë njerëzit që ia dalin në çdo situatë. Ata duan të shohin se dobësia është e dhënë e të gjithëve.

Arjola zgjodhi këtë lojë duke kombinuar gruan e fortë të Malësisë, si p. sh. nëna vetëmohuese, “nuk do martohem kurrë, dedikim ndaj tre fëmijëve të mi” me gruan e brishtë, të thyer nga tradhtia.

Dhimbjet nuk paragjykohen. Edhe pse ka dhimbje apo fatkeqësi shumë më të rënda se një tradhti: fëmijë të sëmurë, fëmijë që shohin dhunë, etj., etj. Por çdokush vuan dhimbjen e vet dhe këtu mbyllet tema.

Einxhel - e zgjuara! Vajza me emër engjëlli të kujton se ka edhe inteligjencë të dhunshme. E ka fjalën e duhur në majë të gjuhës, por e ka dhunshëm. Është rasti i vajzave që dalin me një rol nga shtëpia prej vitesh, sepse shoqëria jashtë tallet me vajzat spontane, të qeshura, që nuk i japin përkufizim çdo sjelljeje, emërtim çdo situate. Ti nuk ke asnjë mister për vajzën e re Einxhel, e cila vetëm si engjëll nuk pranon të jetojë a sillet. Ajo e di që ky realitet të do me parzmore dhe është gjatë gjithë kohës në mbrojtje, duke të thënë se nuk je duke ia hedhur asaj.

Po sikur të ta hedhin? A ka ndonjë problem të madh? Le të jemi edhe pak naivë, nëse kjo na e bën jetën më origjinale dhe të bukur, pse jo!!!

Dua të prek pak edhe rastin Beatrix, e cila vetëm me hiret e saj mund të pushtojë botën dhe që s`mundi të pushtojë siç i takonte një djalë, jo se nuk mundet, por se s’di.

Paterni i saj ishte nënshtrimi, tipik që një vajzë sa më e bindur për partnerin aq më shumë do ta “marrë ai për grua”, do ta dojë seriozisht! Fatalitet, por qenka kështu ende në 2022-shin, me sa duket edhe tek brezi i ri. Do kisha dashur shumë ta mbështesja Beatrix. Isha me të kur gjithë botën e pati kundër. Ajo, e pastër, e bukur, me shije, me talent dhe viktimë e modeleve që përcakton ende bota për një vajzë. Si ajo dhe te gjitha të rejat sot, kujdesen më shumë për pamjen e jashtme duke lënë pas dore atë që s’duket, botën e brendshme. Kur kjo e fundit nuk funksionon mirë, i vret të gjitha bukuritë madje edhe dashuritë!

Dua ta mbyll me shqiptaren që meriton ta fitojë këtë lojë, italianen Beniada.

Pse unë do votoj Beniadën
Beniada Nishani

Modelja që hyri me paragjykim se meqë bënte foto erotike dhe vinte nga Italia me siguri do prodhonte edhe ndonjë skandal seksual aty brenda, ishte vajza që i dha një shuplakë të madhe audiencës!

Ajo, me çiltërsinë, spontanitetin, karakterin e fortë që s’e bërtiti kurrë me fjalë por me prani e sjellje. Shije dhe humor. Asnjë rol. Thjesht vetja! Zero përpjekje për të treguar se ajo ishte kështu apo ashtu. Beniada me këmbët e gjata dhe taka na ftoi të gjithëve ta zbulojmë dhe nuk gaboi qoftë edhe një herë, duke thënë atë që mendon, duke bërë atë që ndjen, duke treguar se vajzë të keqe s'të bëjnë fotot nudo. Se vajzë të mirë s`të bën vetëm mami dhe babi, s’të bën vetëm universiteti, s`të bën një dashuri me partnerin e duhur, s`të bën puna si CEO, si shkencëtare apo si këngëtare, por të bën vetja jote dhe sidomos mjedisi ku rritesh, ku formësohesh si personalitet, pa filtrat e çmendur që të imponon ende Shqipëria, e cila falë "Big Brother" na tregoi se ky brez i ri paska kaq shumë strereotipe, mure, vrima në sjellje.

Të rinj që duken sikur i kanë jetuar të gjitha prej 60 vjetësh. Ku shkoi shpengimi i rinisë, freskia e së panjohurës e së pajetuarës? Kurioziteti për të zbuluar jetën? Ç'është ajo sindromë: eh, sa kam kaluar unë?! Të gjithë kalojnë. As princeshat dhe princërit nuk e kanë fjollë. Është ligjësi e jetës. Plus jeni të rinj, e keni gjithë jetën para.

Për këto arsye uroj që edhe lexuesit e "Tiranapost" të mbështesin Beniadën, si fytyrën e mirë të rinisë shqiptare. Si shembull të butësisë, me të cilën duhet trajtuar jeta. Si fytyrën e një njeriu të lirë.

P.s Edhe pse kam dyshimet e mia, sepse jo pa shkak ky vend i ka larguar Beniadat.

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected].