Nga Mira Kazhani/ Intervistën me Lea Ypin e regjistruam në 28 dhjetor, për ta postuar në "Tiranapost" në javën e parë të janarit. Ajo ishte një nga personazhet e vitit 2021. Pedagogia shqiptare në Londër, që u vu në qendër të vëmendjes pas botimit të librit “Të lirë, të rritesh në fund të historisë". Një rrëfim personal, që vjen nga kujtimet e fëmijërisë së Leas, por i treguar me analizën e një gruaje të rritur dhe lektore e një prej filozofive bazë të së majtës, marksizmit.
Libri është botuar deri tani në 17 gjuhë të tjera. Sukses!
Djemtë me të cilët xhiroj patën, si rrallë herë, kuriozitet dhe dëshirë për këtë puntatë. Njëri tha se e kishte ndërkohë librin në dorë, por aq më mirë që do kishte mundësinë ta takonte dhe dëgjonte "live" Lea Ypin.
Lea erdhi! Bashkë me aurën e intelektuales të sjellshme, por të ftohtë.
Gjatë bisedës me të kapa një pezm me Shqipërinë në raport me vendet e tjera rreth suksesit të librit. Këtu ishte ndjerë e paragjykuar, edhe pse tha se "e falte”.
Në Shqipëri ishin marrë shumë me kë takohet, me kë rri, me kë pi kafe, në vend që të flitej për librin. Ishin marrë me Lean dhe jo veprën e saj. Ndërsa një pjesë kishte bullizuar edhe librin. Këtë të fundit e lexova tek artikulli i "The Guardian" bashkë me togfjalëshin “qëndrime seksiste”.
Lea e kish gjetur veten në Shqipëri “më shumë si një show girl sesa një akademike”.
Sikundër, nga ana tjetër, ishte pesimist portretizimi i atdheut nga një akademike e njohur (edhe pse Lea Ypi për "The Guardian" flet për një pakicë) si një shoqëri bulliste!
M’u kujtuan djemtë me të cilët xhiroj, që erdhën me aq etje mëngjesin e ftohtë të 28 dhjetorit, për të xhiruar intervistën me autoren e famshme të momentit.
Një gjë është e vërtetë: ne i vëmë bishta njëri-tjetrit, po aq sa i ngarkojmë të suksesshmit me barrën që “të shpëtojnë vendin”.
Por, nga ana tjetër, për kë u rrit në fund të historisë, është organike kritika, sepse komunizmi ende çliron emocione të forta ndër ne.
Një libër prodhon gjithnjë kritikë. Edhe kryeveprat.
Por pse në këtë rast kritikat nga Shqipëria ishin mavijosur, aq sa një akademike po përgjigjej ndaj tyre në anglisht? Dikush thoshte se po viktimizohej për famë etj., etj.
Në intervistën tonë biseduam për vajtje- ardhjet në Tiranë, të shpeshta tanimë. Për librin dhe kritikat, për të cilat Lea që në fillim më tha: "Vetëm ju në Shqipëri doni të flisni për kritikat”, që unë e mora për batutë.
Qëllimi i kësaj interviste ishte një kuriozitet/insistim për të parë me optikën e një akademikeje dhe shkrimtareje që jeton në Londër, Shqipërinë politike dhe sociale. Si e kuptonte ajo Shqipërinë e sotme, nga kafet, drekat dhe darkat me njerëz të rangut të lartë. Si ia del që në fund të mbetej kritike? Si duhet të silleshim ne që jemi brenda merimangës? Dialog thotë Lea. Njeriu darkon me të ndryshmin.
Është një kompleks i yni, por e presim edhe nga Dua Lipa edhe nga Nensi Dojaka të na japin një mesazh, një përshtypje, e jo më nga një akademike!
Lea, në mënyrë të shkompleksuar m'u përgjigj se nuk e njeh Shqipërinë: “Ndihem shumë pak e orientuar këtu”.
Folëm edhe për zërat se emri i saj po qarkullon si ide për kandidate për presidente në verë. Këtu Lea Ypi “caught me off guard” me njohjen perfekte të nenit për presidentin në Kushtetutën e Shqipërisë…!
*Ndalohet ribotimi i Rubrikës 25 Rreshtat e Mirës pa lejen e editorit. Na kontaktoni [email protected]