Ka një dialog: ai mes Julius Caesar dhe krahut të tij të djathtë Mark Antony. Në kulmin e tij, Caesar, perandori i Romës, gjatë një periudhe 9-mujore udhëtoi në Egjipt, ku kaloi kohë me të dashurën e tij, Kleopatrën, me të cilën patën edhe një djalë. Mirëpo gjatë kësaj kohe në Romë nis zija e urisë dhe protestat e fshatarëve u shtypën disa herë me dhunë. Ky qe Mark Antony, një gjeneral i pashoq në luftë, por që nga punët e shtetit nuk merrte shumë erë. E vetmja fitore për të ishte ajo që vinte nga tehu i shpatës. Kur Julius Caesar kthehet në Romë - burrë shteti nga një familje aristokrate, orator dhe strateg - gjendet para një realiteti të paimagjinueshëm. Romakët të shtypur më dhunë, pa bukë e të dërrmuar. Kur Mark Antony i tha se nuk kishte asnjë alternativë për të ndaluar protestat ndaj kish përdorur forcën, përgjigjja e Caesar ka qenë: thjesht t’u jepje grurë!
Në Tiranë në disa furra buke çmimet e bukës janë rritur me arsyetimin se çmimi i grurit është rritur në bursë dhe për rrjedhojë mielli dhe brumërat, kryesisht makaronat, do të jenë më të shtrenjta.
Bursës nuk ka çfarë i bën askush, por mundësia që të mos varemi kaq shumë nga importi i grurit varet vetëm prej nesh. Kurrë jo plotësisht sepse e gjithë bota funksionon me importet, por të paktën Myzeqenë mund ta mbjellim me grurë.
Sot në Shqipëri importohet më shumë se gjysma e nevojave për miell nga vende të tjera, Rusia është e para, e ndjekur nga Serbia (një çështje shqetësuese për cilësinë), nga Greqia, që e ka të mirë miellin dhe furrat e bukës ta thonë me krenari që përdorin miell grek, dhe janë shtuar vitet e fundit edhe Kroacia, Hungaria apo Ukraina së fundmi.
Vitet e fundit, nga të dhënat vjetore si nga INSTAT edhe Ministria e Bujqësisë, ka ardhur duke u reduktuar mbjellja e sipërfaqeve të tokës me grurë.
Në prodhojmë diku tek 233 ton grurë në vit, i cili përdoret brenda vendit, por më shumë se gjysmën e marrim nga importet, që do të thotë se ne e kemi lakun në fyt ndërsa arat djerrë.
Shqipëria është një tokë pjellore dhe sipërfaqja katrore nuk ka disproporcione me frymë popullsie.
Shqipëria duhet mbjellë me grurë dhe jo vetëm. Bujqësia do ta rikthejë ‘on track’ vendin.
Sa i takon nxitimit të furrave të bukës në Tiranë për të rritur menjëherë çmimin, është mungesë rregullash dhe kontrollesh nga shteti. Asnjë shoqëri nuk ka tregtarë 24 karat të ndershëm, por frika ruan vreshtin, shteti ruan qytetarin nga abuzimi me çmimet, madje ruan edhe tregtarët e ndershëm nga konkurrenti grykës. Siç qe një furrë e buke ku hyra rastësisht sot për biseduar dhe nuk e kish rritur çmimin. Madje, furra e bukës "Dumrea", në Rrugën "Perlat Rexhepi", kishte tjetër qasje ndaj temës së çmimit të miellit. Nuk e di në kam blerë më parë, por besoj se do të jem kliente sepse nuk e kishin rritur çmimin, kishin një bukëpjekës dhe një shitëse, me siguri edhe një pronar me ndjenja humane.
Xhoana, shitësja 20-vjeçare, bashkë me Andrean, bukëpjekësin, thonë me çiltërsi se nuk është ndonjë hata edhe nëse rritet çmimi i miellit, sepse megjithë rritjen mbetet prapë nga fitimi. Pra, disa që e bëjnë janë thjesht abuzues.
Si zgjidhet kjo në plan afatshkurtër?
Ata, abuzuesit, të braktisen nga klientët, ndërsa shteti duhet t'u shkojë tek dera e të zbatojë ligjin dhe sigurisht dikush të dalë e të sqarojë njerëzit se çfarë po ndodh.
Të hënën e datës 6 shtator kryeministri u pyet për çmimin e bukës, ku tha: “Kjo është një përgjigje të cilën do ta japë qeveria e re”.
Edhe pse e vjetra i ka të gjitha kapacitetet të reagojë gjithsesi.
Nëse ia transferojmë të resë, po aty mund të ketë edhe alternativa e zgjidhje afatgjata.
Buka është institucion për shqiptarët, buka do thoja dhe jo mielli (sikur stonon) na identifikon më shumë si shoqëri. E blejmë, i mbajmë erë, e ngjyejmë, themi ende:-do hamë bukë?
*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected].