
Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka dënuar me dy vite burg ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, si dhe për t'i ndaluar për pesë vitet e ardhshme të ketë funksione publike.
Gjithashtu njoftohet se pasuria e Llallës është sekuestruar nga shteti. Bëhet fjalë për 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
Kujtojmë se Llalla akuzohej për "Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehje ose deklarim i pasurive, interesave privat të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim" në tre raste. Adriatik Llalla u hetua edhepër pastrimin e parave, por në në fund SPAK-u e dërgoi në gjykim vetëm për fshehje të pasurisë.
Vetë Llalla nuk ka bërë komente në media, as nëpërmjet avokatit të tij, por mësohet se ai do të ankimojë vendimin. Llalla nuk do të prangoset pa vendimin e formës së prerë të Gjykatës së shkallës së dytë.
Në vendimin e Gjykatës së Posaçme shkruhet: “pasuria objekt sekuestroje, zotërohet nga shtetasi Adriatik Llalla, si subjekt i Ligjit Parandalues dhe ekzistojnë prova konkrete se është pasuri e pajustifikuar, pasi duke e krahasuar vlera e saj me të ardhurat e fituara në rrugë të ligjshme, rezulton se kjo vlerë nuk iu përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave dhe të fitimeve të realizuara në rrugë të ligjshme nga ana e shtetasit Adriatik Llalla dhe bashkëshortja e tij”.
Ky është dënimi i parë që Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë përkundrejt një zyrtari të lartë të shtetit. Në sallën e vendimit, sipas raportimeve mediatike ka pasur edhe përfaqësues të ambasadës amerikane.
Tiranapost.al