Ta thotë doktoreshë Silva

Të gjitha vajzat që nuk marrin të uruarën ngjyrë çokollatë në plazh, të mblidhen pak këtu

Të gjitha vajzat që nuk marrin të uruarën ngjyrë

Përshëndetje. Problemi im është i përvitshëm çdo verë, sa herë që shkoj me pushime. Shpresoj gjithmonë që të kthehem në qytet me lëkurën e nxirë si të gjitha vajzat, të vesh fustanet e shkurtër e me rripa, por jo. Kthehem po aq e bardhë sa kam ikur, edhe pas dy javësh plazh. Lëkura ime nuk nxihet asnjëherë edhe pse unë rri gjithë ditën në diell. Përdor produkte mbrojtëse duke e ulur gradualisht spf, por edhe abronxuese. Skuqem e rripem por nuk nxihem kurrë. Ç'të bëj që këtë verë ta shijoj plazhin por edhe të marr pak ngjyrë? Faleminderit.

Para se gjithash duhet të dimë se ajo që ne e konsiderojmë thjesht ngjyrë plazhi, është në fakt një mekanizëm mbrojtës i lëkurës ndaj ekspozimit në diell dhe më saktësisht ndaj rrezatimit UV. Për këtë qëllim lëkura prodhon melaninën, e cila përthith këto rreze. Sa më shumë të ekspozoheni në diell, aq më shumë melaninë prodhon lëkura duke u nxirë. Por në bazë të karakteristikave gjenetike ndryshon edhe aftësia e organizmit për të prodhuar melaninë dhe ndaj lëkura klasifikohet në disa fototipe; nga fototipi 1 (lëkurë shumë e bardhë, flokë biondë ose të kuqe, sy me ngjyrë të celët, nuk nxihet kurrë në diell por mund të digjet e të rripet) deri në fototipin 6 (lëkurë kafe e errët, flokë e sy me ngjyrë të errët, në diell nxihet akoma më shumë e nuk digjet asnjëherë). Kështu që ekspozimi në diell varet më së shumti prej llojit të lëkurës e nëse ju i përkisni fototipit 1&2 jo vetëm që sdo të merrni ngjyrën e dëshiruar por do të rrezikoni ta dëmtoni, t’i rrisni rriskun për të zhvilluar lezione kanceroze e duke shkatërruar fibrat e kolagjenit ta plakni para kohe atë.

Gjithsesi krahas masave të ekspozimit më diell në mënyrë graduale, me krem me filtra mbrojtës si dhe në oraret kur rrezatimi UV është më i ulët (deri në orën 10 paradite e pas orës 4 pasdite) mund të ndikoni disi në rritjen e prodhimit të melaninës nëpërmjet ushqimit. Konsumimi i produkteve me antioksiadantë me prejardhje bimore si sallata jeshile, brokoli, boronicat e perimet me ngjyra në sajë të përmbajtjes së mikronutrienteve (flavonoide e polifenole) mund të rrisin prodhimin e melaninës.

Po kështu ushqimet me përmbajtje të lartë derivatesh të vitaminës A, si karrotat, spinaqi, patatet e ëmbla e bizelet përmbajnë betakaroten me funksion jo vetëm antioksidant por edhe mbrojtës ndaj rrezatimit UV.

Dr.Silvana Mishtaku

Klinika Vivia, spitali Amerikan 3

Instagram: silvanamishtaku

E mail: [email protected] /Tiranapost.al/