Ta thotë doktoreshë Silva

Tani që kemi diell, njollat e fytyrës i heqim në këtë mënyrë

Tani që kemi diell, njollat e fytyrës i heqim në këtë

Javën që shkoi, pas postimit të Mirës në Instagram, të shumta ishin pyetjet dhe interesimi për trajtimin antinjollë që ajo bëri. Dhe në fakt njollat në lëkurën e fytyrës janë një nga shqetësimet më të shpeshta jo vetëm të femrave por edhe të meshkujve. Shkaku kryesor i tyre është ekspozimi pa mbrojtje në diell, edhe në periudhën e dimrit, sidomos pas trajtimeve që e bëjnë lëkurën më delikate ndaj diellit nëse nuk tregohet kujdesi i duhur. Por ka edhe gjendje të vetë organizmit, të cilat e rrisin ndjeshmërinë e lëkurës si shtatzania, çrregullimet hormonale, sëmundje gjinekologjike, të tiroides apo faktorë gjenetikë. Ndaj është e rëndësishme që trajtimet dermoestetiketë kryhen krahas konsultave dhe kërkimit të shkakut...

Në fakt trajtimet antinjollë janë të shumta si peeling kimik, mezoterapi, lazera te fraksionuar (fraxel) dhe jo të fraksionuar, trajtime me roller dhe pen, të cilat mund edhe të kombinohen me njëra-tjetrën, por duhet patur parasysh që të zgjidhet trajtimi i duhur në periudhën e duhur, për të arritur efekt maksimal në reduktimin e hiperpigmentimeve, në mënyrën më të sigurt të mundshme. Dhe pikërisht në momentin që moti ngrohet, ekspozimi në diell dhe intensiteti i rrezatimit shtohet, trajtimi më i sigurt antinjollë është mezoterapia. Ky trajtim aplikohet për melazmat (njolla në formë maske në ballë dhë mollëza, kryesisht pas shtatzanisë) dhe çrregullime të tjera të pigmentit të lëkurës nëpërmjet shpimeve dhe injektimit direkt në këto zona të vitaminës C dhe lëndëve të tjera antinjollë. Këto lëndë reduktojnë dëmtimin e epidermës (shtresës sipërfaqësore të lëkurës) dhe stimulojnë prodhimin e kolagjenit të ri, duke rezultuar në një lëkurë me pigmentim më të njëtrajtshëm, më të freskët dhe me shkëlqim.

Mezoterapia ka kohë rekuperimi pas trajtimit të shkurtër (disa orë), efikasitet të lartë dhe të shpejtë (përmirësimi i lëkurës vihet re disa ditë pas trajtimit).

Sa seanca nevojiten? Duhet thënë se kjo varet nga shumë faktorë, si sipërfaqja dhe mënyra e shpërndarjes së njollave, vjetërsia e tyre dhe reagimi i lëkurës, sasia e lëndëve depigmentuese që injektohet, etj. Megjithatë mesatarisht nevojiten rreth 3-5 seanca, që kryhen në distancë rreth 2 - 4 javë nga njëra-tjetra.

Një pyetje që më bëjnë shpesh në konsultat për njollat (dhe jo vetëm) është se sa përqind ndryshim do të kenë pas trajtimit? Por ashtu si në çdo fushë tjetër të mjekësisë, rregullat e matematikës nuk vlejnë… Pikërisht edhe sepse numri i faktorëve kontribues dhe reagimi i cdo individi është i ndryshëm. Megjithatë pas çdo seance vihet re zbehje dhe reduktim i njollave dhe pacientët i vënë re këto ndryshime, që pas trajtimit të parë.

A do të rishfaqen më njollat? Sigurisht nëse nuk tregoni kujdesin e duhur dhe të shmangni ekspozimin në diell pa mbrojtje (edhe kur jeni në drejtimin e makinës) njollat mund të ritheksohen dhe të rishfaqen, madje ka raste që fatkeqësisht edhe këto masa nuk mjaftojnë dhe trajtime të tilla të përsëriten herë pas here.

*Autorja Dr.Silvana Mishtaku është dermatologe-venereologe, Klinika Vivia, Spitali Amerikan 3

Email: [email protected]

Instagram : silvanamishtaku