Ta thotë doktoreshë Silva

Si t`i bësh derman gushës së varur

Si t`i bësh derman gushës së varur

Dhjami poshtë mjekrës vjen si pasojë e shtimit të masës yndyrore në zonën poshtë mjekrës e cila jo domosdoshmërisht lidhet me shtimin në peshë. Trashëgimia si dhe rënia e elasticitetit të lëkurës me kalimin e moshës e favorizojnë këtë proces. Po kështu, pozicioni i qëndrimit, gjithnjë e më shumë me telefon në dorë dhe kokën e ulur mbi të po bën të formohet ajo që përkufizohet si  “fytyra e telefonit” që karakterizohet nga humbja e konturit të këndit të nofullës dhe bashkim të mjekrës me gushën.

Për të eleminuar këtë problem, në radhë të parë duhet të ndryshojmë sjelljen dhe qëndrimin tonë, të korrigjojmë regjimin ushqimor nëse shkaku i gushës së dyfishtë është shtimi në peshë dhe më pas t’u drejtohemi specialistëve të dermoestetikës.

Procedura mini-invazive si mezoterapia lipolitike është hapi i parë që mund të ndërmerrni. Tashmë është gjerësisht e përhapur metoda e injektimit të acidit deoxikolik (Kybella, Sagoni, etj) direkt në zonën ku duam të reduktojmë masën dhjamore pasi ky acid ka veti të shpërbëjë dhe të nxisë përthithjen nga organizmi të masës dhjamore ku injektohet. Trajtimi kryhet me seanca në distancë rreth 3-4 javë nga njëra-tjetra dhe redukton në mënyrë graduale dhjamin e tepërt duke mos shkaktuar varje lëkure e duke dhënë rezultate të kënaqshme në terma afatgjatë.

Nëse kjo masë dhjamore shoqërohet apo është pasojë e varjes së lëkurës së nofullës e të qafës për shkak të moshës, sugjerohen trajtime që kanë për qëllim të rrisin elasticitetin e lëkurës si plazma, fije të absorbueshme ose radiofrekuencë e thellë si THERMAGE. Kjo e fundit stimulon jo vetëm fibrat e kolagjenit dhe të elastinës duke nxitur tërheqjen e lëkurës së varur të fytyrës dhe qafës, por redukton dhe dhjamin poshtë mjekrës për shkak të thellësisë të depërtimit të valës deri në hipodermë. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, Thermage është një procedurë pa shpime, pa dhimbje, që realizohet në një seancë të vetme (rreth 2 orë) dhe që nuk ka nevojë për kohë rekuperimi ndaj ju mund t’i riktheheni menjëherë aktivitetit të përditshëm.

Nëse doni rezultate të shpejta dhe keni kohë në dispozicion për t’u rekuperuar nga trajtimi, mund të kryeni konsultë me kirurgët plastikë për t’ju nënshtuar lipolizës kirurgjikale nëpërmjët së cilës dhjami eleminohet në mënyrë të menjëhershme dhe sipas rastit shoqërohet ose jo me teknika lifting të fytyrës ose qafës.

Dr. Silvana Mishtaku

Mjeke Dermatologe-Venereologe

Klinika Vivia, Spitali Amerikan 3

Email: [email protected]

Instagram: silvanamishtaku