Sa nje kafe nga Iva

Po këtë punën e turizmit seriozisht e kemi? Apo në dorë të Zotit?

Po këtë punën e turizmit seriozisht e kemi? Apo në dorë

Nga Iva Tiço/ Imazhi i një anijeje në flakë, sot në mëngjes, që bëri xhiron e gjithë portaleve, ishte nga ata që të ngjethin mishin e të bëjnë të mendosh: “Kurrë nuk ia vlen të hipësh në një të tillë”. Edhe pse gjatë gjithë fundjavës mund të ketë ndodhur të kesh parë në rrjet postime miqsh në Jug të Shqipërisë, fiks në anijë të atilla, që bëjnë ekskursione ditore zakonisht në brigjet e Karaburunit apo të Sazanit, edhe pse në të shkuarën ke qenë klient i të tilla anijeve dhe mund të kesh bërë plane sërish për në javët që vjen, paniku i shkaktuar, edhe pse pa viktima, është i madh.

E kanë këtë të keqe të gjitha këto gjëra që nuk janë jetike, mund të heqësh dorë kollaj prej tyre. Dhe, natyrisht, përpara sigurisë askush nuk e mendon dy herë nëse një sjellje e tillë konsumatorësh shërben për shkatërrimin e turizimit, u ul të ardhurat shumë familjeve të tjera, që në vetëm dy muaj do të duhet të nxjerrin të ardhurat e vitit, se veç pagesave të anijes ul edhe xhiron e pijeve freskuese dhe alkoolike, ushqimeve, pagesat në plazhet gati të virgjëra të Jugut e që vetëm këto dy-tre vitet e fundit kanë nisur t’ia ndjejnë kimetin detit dhe peizazhit e të nxjerrin prej tyre të ardhura, siç do të duhej të kishte ndodhur jetë e mot, po të ishte punuar si duhet… Por ja që mjafton një imazh i tillë që gjithçka të vihet në pikëpyetje. Përtej marrjes frymë lirisht nga të gjithë që nuk pati viktima, sepse në bord ishte vetëm ekuipazhi, që nuk e ka pasur të vështirë të ikë nga anija në flakë me not, lindin një sërë pyetjesh: A mund të kishte ndodhur kjo (largqoftë!) kur anija ishte plot me familjarë dhe të rinj e të reja që bënin qejf dhe kërcenin ndërsa anija lundronte në thellësi të gjirit (mund të mos jetë anija në fjalë ajo që pashë dje në postimin e një mikut tim, por ishte një shumë e ngjashme)? A i kontrollon kush këto anije, në ç’gjendje janë, si i kanë masat e emergjencës, të shuarjes së zjarrit, të evakuimit të të gjithëve? A paguhen siguracionet e njerëzve që hipin në to? Në rast fatkeqësish, kush përgjigjet? Ata që e kanë nxjerrë në det, apo ata që e kontrollojnë? Dhe mbi të gjitha, a përgjigjet njeri? Apo thuhet “shyqyr me kaq, na rujtë Zoti!”?

Nuk janë kurrë të rrepta sa duhet ligjet që shpëtojnë jetë njerëzish. Sepse, sigurisht, që këtu frika ruan vreshtin. Dhe detyrimi që të vënë për të zbatuar ligjin. Në një vend si i yni, që edhe po bleve një makinë të re fringo je sërish i detyruar të bësh kontrollin fizik e teknik të saj dhe të paguash për të, edhe pse je brenda garancisë, pra ke thuajse zero shanse që makina të jetë me defekt, si na qenka vallë kaq e thjeshtë që një mori operatorësh turistikë me lloj-lloj varkash, anijesh, gomonesh të mbushen dita-ditës plot e të dalin në det si pa gjë të keq?! E di që shumëkush do më kundërshtonte këtu, me argumentin që kontrolle më të rrepta do të thotë thjesht të paguash më shumë para dhe prapë mund të dalësh në det me një mjet që mund të mos jetë i sigurt, sepse në Shqipëri këtyre gjërave gjithmonë u gjendet ana (për fat të keq këta zëra kanë të drejtë, të gjithë shohim në rrugë lloj-lloj makinash rrangallë që s’dihet si i kalojnë këto kontrolle), por së paku në një rast fatkeqësie (larqoftë!) do të kishim ku të vinim gishtin. Sepse kjo dreq punë e turizmit na dhemb dyfish, edhe si konsumatorë, edhe si banorë të një vendi, ekonomia e të cilit ka nisur të lëvizë në këtë drejtim. Dhe në këtë rast nuk na bën punë kujdesi vetjak dhe shmangia nga çdo gjë që të ngjan si rrezik, trafiku në det e në tokë, pishinat e papastra, ushqimet në rrugë, prodhimet bujqësore të pasigurta… Kjo është një nga ato gjërat që nuk e bëjmë dot vetë, s’ia vlen ta bëjmë vetë, nuk kemi pse ta bëjmë vetë. Dhe meqenëse këtë radhë, për fat, anijen e ruajti Zoti, ka ardhur koha që prej këtij rasti të bëjë diçka dhe Njeriu. Nëse e kemi seriozisht këtë punën e turizmit, duhet ta bëjmë vërtet seriozisht, jo thjesht ta zhvillojnë njerëzit dhe shteti, pastaj të përdorë shifrat e tyre për të raportuar ekonominë e suksesshme./Tiranapost.al

http://www.tiranapost.al/foto-merr-flake-anija-ne-karaburun-njerezit-ne-bord-hidhen-ne-det-per-te-shpetuar/