Sa nje kafe nga Iva

Në çfarë dere të ngelim, kjo është çështja (se unë nuk bëj replika)!

Në çfarë dere të ngelim, kjo është

“Ke ngelur në derë” është nga ato shprehjet frazeologjike të papërkthyeshme në gjuhë të tjera. Sepse, që nga shekujt kur vajza shkëmbehej me bagëtitë dhe ikte nga dera e babait për të shkuar në atë të burrit, që të kishte një çati mbi kokë dhe bukë për të ngrënë (veç punëve të shtëpisë këtu shtohej dhe detyra e riprodhimit të sojit), fraza është zhdukur bashkë me konceptin. Madje edhe për fjalën lëneshë - spinster në anglisht- me gjithë anglishten time modeste, unë kam thyer rekord sepse e di përpara njady shoqeve të mia, që e kanë këtë gjuhë si amtare, për shkak të shkollimit në Amerikë: ato nuk e kanë dëgjuar kurrë. Unë kam kërkuar që ta gjej, pasi më duhej për një shkrim në kohët kur isha e rregullt me postime në “Blogun e një vajze single”.

Do të mjaftonte ndoshta emri i blogut për të kuptuar mendësinë e asaj që është e shkruar: single, domethënë e pamartuar, njeri që nuk ka vendosur ende të jetojë me dikë tjetër dhe të ndajë me të shpenzimet e përditshme, shtëpinë, orët e lira dhe ato të zëna, qenin e macen, WC-në, gjysmën e dollapit, faturën e dritave dhe vendimimin për të hequr tapetin e kuzhinës në verë. Kaq! Pastaj, se ku ndodhet dera, pak rëndësi ka. Mund të jetë e babait, mund të ndahet me shoqe, mund të jetë me qira, mund të ketë hallet që sjell një kredi… Dikush që e përcakton blogun e vet me këtë emër, të qenët apo jo single nuk e lidh me derën, është së paku një shekull larg nga ai mentalitet. Ndaj e mirëkuptoj këdo që sulmon me këtë frazë: t’i thuash dikujt në këtë shekull se ke mbetur në derë, domethënë që kjo do ishte frika jote më e madhe, për vete nëse je vajzë dhe për motrën e familjaret e tua nëse je djalë. Për dikë që martesën e ka mënyrën e vetme për të jetuar dhe për të siguruar strehim dhe ushqim apo që e ka krenarinë më të madhe të thotë “kam gjetur burrë”, normal që të mos e gjejë një burrë është frika më e madhe.

Ua qaj hallin, sinqerisht. Jo të gjithë kanë pasur fatin të kenë prindër që t’i kenë mësuar të jenë të zotët e vetes. Jo të gjithë janë aq romantikë sa të mendojnë që në një martesë të shpie dashurua dhe jo nevoja për të ndërruar derë. Jo të gjithë mendojnë që në jetë lidhen me dikë sepse duan të rrinë me të dhe jo sepse “në fund të fundit "s'mbetet laraskë pa bisht”. Dhe përpos të gjithave, jo të gjithë janë aq të edukuar dhe të mençur sa ta kuptojnë që në rrjetet sociale dhe askund nuk diskutohen gjërat përsonale të të tjerëve, as vendimet për të jetuar vetëm, të martuar apo të ndarë dhe as fati i keq tekefundit (po e mendove kështu) që ka mbetur në derë… Por, edhe pse ua qaj hallin dhe i mirëkuptoj në injorancën e tyre, kjo nuk do të thotë që mund t’i lejoj të më qelbin profilin me komente. “Mos kthe përgjigje”, më këshillojnë shpesh. Disa sepse mendojnë që është humbje kohe. Të tjerat më thonë që të mos mbush portalet. Dhe këta të dytët kanë ca më shumë të drejtë se të parët, ndoshta. Sepse prej atyre-që-aq-kanë edhe mund t’i presësh të tilla gjëra, por të ashtuquajturve “kolegë”, nuk ke pse ua bën gjërat më të thjeshta, nuk ke pse u jep një lajm më shumë. Por ja që unë jam ca e ngeshme këto kohë dhe hazërxhevap, kur vjen puna për të mbrojtur gjërat e mia. Dhe në fund të fundit edhe këta “kolegë”, ashtu si ata që komentojnë, kaq kanë edhe ata. Përndryshe nuk do merrnin lajmin se çfarë thanë njerëzit në komente dhe si u përgjigj filania. Përndryshe do bënin dhe ndonjë punë prej vërteti, atë që është në AND-në e një gazetari, do pyesnin personin në fjalë, do futnin dhe pak trurin në punë dhe do tregonin një histori, do të bënin një alamet artikulli për emancipimin e grave, për paragjykimet, për të qenit e pavarur dhe për fatkeqësinë e mijëra grave të tjera, që nuk shpëtojnë dot nga martesat e këqija, pasi nuk mund të jetojnë dot më vete, se nuk kthehen dot as në derën e babait dhe janë të dënuara të jetojnë në derën e burrit… Le ta përdornin dhe fjalën “derë” në titull, tërheq për klikime. Ja dhe unë po e përdor, në fund të fundit…

Por që të bësh një punë të tillë, përtej një lajmi me komente të kopjuara nga Instagrami, nuk duhet t’i përkasësh kësaj kategorisë “aq kanë”. Nuk duhet as që “të kesh mbetur në derën” e një portali si ky ku u zhgarravit sot me “copy and paste” shkrimi se si Iva kthen përgjigje që ka mbetur në derë. “Kjo është sjellje pasive-agresive”, më shkruajnë në inbox gra që feminizimin nuk e kuptojnë si diskutim kuotash, por si liri zgjedhjeje dhe detyrim për t’i dhënë dorën njëra – tjetrës. Ndaj dhe m'u desh t'ua shpjegoja gjatë e gjerë në këtë shkrim se jemi ende shumë, shumë prapa. Se këtu edhe gazetaret “aq kanë”, bash si komentuesit. Nuk e kanë bërë me të keq. Se dhe ato në fund të fundit të mbetura në një derë janë, me shpresën për të shkuar në derën e një portali tjetër, ku mund të lodhen ndoshta më pak e të paguhen më mirë. Se kjo është jeta, të gjithë mbetemi në një derë. Por e rëndësishme është se çfarë dere! Duhet të jetë alamet dere dhe në të gjitha rastet është më mirë kur është e jona./ Tiranapost.al